Intervistë me Nuredin Misinin: Probleme brendapartiake në prag të zgjedhjeve në degën BDI-së në Kumanovë

Pas problemeve brendapartiake në degën e BDI-së në Kumanovë, njëri nga iniciatorët për transparencë në përpilimin e listës zgjedhore për këtë komunë, Nuredin Misini për InfoShqip sqaroi të gjitha ndodhitë dhe rrjedhat që kanë sjellë në ngritjen e kësaj iniciative.

Misini për InfoShqip akuzon se persona të caktuar, të vetëzgjedhur si udhëheqës partiak për këtë komunë kanë përpiluar emra për në listën e këshilltarëve nëpër kafene dhe pa marrë pëlqimin e aktivistëve të partisë.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë me Nuredin Misinin nga dega e BDI në Kumanovë të dhënë për Portalin Infoshqip.

  • InfoShqip: A mund të na sqaroni arsyet çfarë ju nxiti që të ndërmerrni këtë nismë në prag të zgjedhjeve lokale?

“Në fakt, reagime në forma të ndryshme ka pasur nga anëtarë në vazhdimësi, por akumulimi i tyre bëhet i padurueshëm pikërisht tani kur veç më u nëpërkëmb edhe demokracia e mbrendshme e partisë, dega në Kumanovë, ku individ të caktuar filluan të shpërfillin edhe aktivat e vjetër, të cilët deri tani kanë qenë bartës të proceseve. Unë e thash edhe në konferencën e djeshme për media, po e përsëris edhe sot, se në vazhdimësi kemi ndjekur ngecjet e proceseve në pushtetin lokal, të cilat, personalisht, në zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura në dhjetorin e kaluar, strukturave të BDI-së në Kumanovë ua kam shfaqur si komplot që po i bëhej BDI-së nga një strukturë mafioze që është instaluar në BDI. Atë kohë kisha ftuar z. Nazmi Beqirin një nga themeluesit e BDI-së dhe ushtarak i UÇK-së, dr. Ilir Hasanin anëtar i kryesisë qëndrore, Arbër Ademin, në atë kohë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë, Zejnulla Ganiun shef i shtabit Komunal, Amir Shabani shef i financave ne shtabin komunal dhe shef i kabinetit të z. Arbër Ademit, Ridvan Asanin këshilltar komunal, Faruk Alilin yëvendës drejtor në NP ‘Ujësjellësi’, para të cilëve kam shfaqur shqetsimin se në Çerkez po kjo strukturë po komplotonte edhe zgjedhjet, sepse familjarë të ngushtë të funksionerëve të BDI-së, strukturë kjo e ardhur në BDI si formë koalicionimi, zhvillonin aktivitet për Lëvizjen Besa dhe propagandonin me gjuhën më të ashpër BDI-në. Faktet i kam prezentuar me fotografi dhe kam kërkuar që të kërkohet llogari prej tyre, ndërkohë që prej shumicës prej tyre kam pasur kërkesën që vetëm të kalojnë qetë zgjedhjet se gjithandej po na e bejnë njësoj. Ne të gjithë e dimë epilogun e zgjedhjeve, për të cilin jam thellë i bindur që ishte rrjedhoj e të gjitha komploteve që po përjetonim, por kam pritur që pas zgjedhjeve të mbahet ndonjë mbledhje e organizuar nga ndonjë instancë e partisë dhe të njejtam shqetsime t’i shfaqja para tyre, mirëpo kjo pritje nuk u realizua. Dhe erdhëm në prag të zgjedhjeve, ashtu të akumuluar, por me shpresën që do të fillojnë ndryshimet dikur, por çasja e punës për t’u futur në zgjedhje preu të gjitha shpresat që ndryshimi do të fillojë.”

  • InfoShqip: Nëse mund të sqaroni çka konkretisht nënkuptoni me atë që thoni se ka pasur komplot, pos shembullit me zgjedhjet, për të vazduar me atë se çfarë ndodhi së fundmi në BDI-në e Kumanovës?

“Vlerësoj që pjesa më e madhe e programit të BDI-së për këtë katër vjeçar është komplotuar, po e marr shembull Çerkezin, ku nga Ministria e Arsimit ka vite që ka ardh shkresë në shkollë, me të cilën kërkohet nga drejtoria rregullimi i pronësisë së oborrit të shkollës përmes instancava komunale të urbanizmit, që më pas të mund të realizohet salla e sporteve për këtë shkollë dhe kjo gjë qëllimisht është prolonguar deri në ultimatumin e fundit nga Ministria dhe përsëri është zvarritur ngadal e ngadal, për të mos u realizuar si i tillë ky projekt në këtë lokalitet, i cili gjithsesi do të vlerësohej nga popullata dhe Çerkezi duke qenë një qendër e fortë e BDI-së në Kumanovë dhe si rrjedhojë do të vazhdonte të mbetej e tillë edhe më. Por për shumë cikle zgjedhore kjo gjë u bë e pa mundur, ndërkohë nga makineria propagandistike nuk pushohej të hidhej gurë ndaj BDI-së, për mos realizim të këtij dhe projektesh tjera të shumta, të cilat janë premtuar disa herë para banorëve të këtij lokaliteti. Pra ka edhe projekte të tjera vetëm brenda shkollës së Çerkezit që janë prolonguar me qëllim, dhe qëllimi kryesor mbetet dobësimi i mbështetjes së BDI-së në teren dhe kushtëzimi i saj për mbështetje nga kjo strukturë mafioze, të cilën unë e quaj udbasheske, sepse jam thellë i bindur se e tillë është. Ndërkohë, përveç komplotimit të projekteve, ata kanë përçarë aktivistët duke mbjellë mosbesim ndaj tyre përmes thash e themeve, kanë shantazhuar e kërcënuar në vazhdimësi, kanë degraduar me lloj-lloj veprimesh e obstrukcionesh dhe e kanë sjellë situatën, besoj unë, që shokë tanë, duke qenë të shantazhuar ose kërcënuar, të suspendojnë demokracinë e mbrendshme në aktivat tanë, duke mos respektuar asnjë normë statutare, për t’i hapur shtegun sërish klanit mafioz që edhe në një katërvjeçar tjetër t’i mbulojnë pisllëqet e bataçillëqet e tyre nën flamurin e BDI-së dhe ta mbajnë peng kumanovarin edhe për 4 vite të tjera”.

  • InfoShqip: Çfarë hapash planifikoni të ndërmerrni në këtë interval kohorë që ka mbetur?

“Si parantezë, më lejoni të plotësoj rrjedhën e ngjarjeve. Një numër i madh i miqve tanë, duke qenë të një mendimi mbi të gjitha zhvillimet, vendosëm të ngremë zërin ndaj këtyre fenomeneve, duke i kontestuar zhvillimet parazgjedhore, por për të përfituar kohë filluan të na akuzojnë se po përçajmë në momentin parazgjedhorë, i ftuam me komunikatë dhe individualisht z. Nazmi Beqirin icili gëzon mbështetje të lartë te shumica e ish ushtarëve dhe i cili i është përgjigjur ftesës, dr. Ilir Hasanin, po ashtu i është përgjigjur ftesës, Shukri Limanin i cili fillimisht na ka akuzuar për përçarje dhe pasi kemi shtruar argumentat tanë se nuk jemi të tillë dhe nuk do të jemi në asnjë çast, na është arsyetuar se nuk është përzier deri tani askund dhe nuk e ka ndërmend as të pëzihet askund, z. Ulusi Beqirin, i cili nuk është bashangjitur me arsyetimin se i ka ngri aktivitetet politike. Kjo situatë na detyron që të jemi publik, sepse ftesa për konstruktivitet u refuzua nga ata që duhej të përqafohej dhe udhëhiqej dhe po ashtu, fakti që nuk u mbështetë nga përfaqësuesit tanë kumanovarë, drejtuam edhe një thirrje që instanca të larta partiake të kyçen në këtë problem për ta tejkaluar dhe për të dalë fitimtarë në këto zgjedhe. Në rast të kundër mjafton të mos ndërmarrim asgjë, sepse nuk besoj që votuesi kumanovar do t’i zgjedh si opcion struktura që sollën gjithë këtë regres në këto 8 vite të fundit në Kumanovë”. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu