Ish kreu i DSK-së dhe ish ministri për Punë të Brendshme Sllobodan Bogoevski në emisionin “Top Tema” ka folur edhe për shpalljen e “Iliridës” nga Partia për Prosperitet Demokratik, më vitin 1992, në kohën derisa vet ai udhëhiqte me ministrinë e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.
Në pyetjen e gazetarit se, a mund të bëhet paralele mes arrestimeve të kohës së tij pas shpalljes së Iliridës dhe ngjarjeve në Lagjen e Trimave- Kumanovë, Bogoevski tha se rrethanat kanë qenë ndryshe.
“Është rëndë që të bëhet paralele. Në rastin e Kumanovës bëhej fjalë për formacione paramilitare, që rrezikonin rendin kushtetues të Maqedonisë. Ndërkaq veprimi im në vitin 1993 kishte të bëjë me arrestimin e bartësve të formacioneve paraushtarake, jo për ide politike”, tha Bogoevski.
Pse nuk besuat në idenë e Mitat Emini-t, i cili ishte politikan korrekt në PPD, se ishte mobilizim i shqiptarëve kundër agresivitetit të Sllobodan Millosheviqit?
“Ky ishte arsyetim deri në prill të vitit 1992, kur nga Maqedonia u largua ushtari i fundit Ushtrisë jugosllave. Pas kësaj ishte bërë thirrje, çdo ditë, që të dorëzohen armët. Kjo pastaj ndodh më vitin 1993, në kohën kur faktorë nga jashtë, insistonin të ketë konflikt në Maqedoni, që t’u lehtësohet puna atyre lartë. Kishte rrezik të madh”, u arsyetua prapë Bogoevski, transmeton Portalb.
Ndryshe, referendumi për “Iliridën”- Autonominë politiko-territoriale të shqiptarëve ishte mbajtur më 11 dhe 12 janar të vitit 1992, kur shqiptarët kishin bojkotuar referendumin për pavarësinë e Maqedonisë, Kushtetuta e së cilës ishte e papranueshme për shqiptarët.
Nga minuta e 33 më detajisht mund ta dëgjoni prononcimin e Bogoevskit: