Publicisti Veton Surroi ka reaguar për herë të parë pas vendimit të këshillit të qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin qytetar nderi, në fakt vetëm për disa minuta, pasi kryebashkiaku Safet Gjici u tërhoq duke kërkuar falje publike, pas “shuplakës” së kryeministrit. Surroi u shpreh se u befasua nga lajmi që mori.
Ai tha se në kohën kur ka shkruar për UÇK-në, ata që morën vendimin sot nuk e dinin se çfarë ishte kjo lëvizje, ndërsa shtoi se “një vendim i çuditshëm që i ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit se sa një bashkie në kohën e demokracisë.
Një këshill bashkiak nuk besoj se kanë kualifikim të mjaftueshëm për të bërë vlerësime historike dhe nuk besoj se është puna e tyre, e tejkalon pak edhe kontekstin edhe kohën. Nuk mund të kemi kryetar bashkishë që e shndërrojnë veten edhe në akademikë, prokurorë, gjykatës, historinë dhe çdo gjë tjetër” tha ai, në “ABC news”.
Intervista e plotë:
Zoti Surroi përshëndetje! Jeni njohur me vendimin e këshillit të qarkut të Kukësit në lidhje me heqjen e titullit? Jam njohur edhe me atë edhe me pezullimin.
Si e morët vesh? Më informuam miqtë që e kishin lexuar në portale dhe miqtë e mi në Kukës.
Si u ndjeve, cila ishte ndjesia e parë, çfarë mendove? I befasuar. Pastaj desha të shoh se për cfarë bëhej fjalë dhe dëgjova një pjesë të debatit që ishte zhvilluar në këshillin bashkiak dhe më la një shije të keqe të një gjykimi politik. U mor një vendim i çuditshëm që i ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit se një bashkie në kohën e demokracisë.
Mendoni se e kanë keqinterpretuar deklaratën tuaj me rolin që ka pasur UÇK në luftën për të çliruar Kosovën? Çka kam deklaruar unë janë publike, nuk ka nevojë për veprime hetimore, janë të shkruara, ka mbi 20 vite, kur kam shkruar unë për UÇK, disa prej tyre nuk e kanë ditur çfarë është UÇK. Një këshill bashkiak që merret, nuk besoj se kanë kualifikim të mjaftueshëm për të bërë vlerësime historike dhe nuk besoj se është puna e tyre, e tejkalon pak edhe kontekstin edhe kohën.
A jeni interesuar përse u mor ky vendim tani? Nuk e di. Këshilli Bashkiak që më nderoi, falënderoj qytetarët e Kukësit, ky këshill dhe kryetar flasin më shumë për nderin e tyre me këto veprime. Nuk mund të hyj në pse-të e tyre.
Ju i njihni personalisht, ndonjë nga anëtarët apo kryetarin bashkiak aktual? Jo, përherë të parë kam marrë vesh për mbiemrin e zotit Gjici. Nuk kam ditur për këtë person.
Ju ka kontaktuar më pas dikush nga bashkia apo Gjici? Jo, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të kontaktojë.