Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë së re në Maqedoni, presidenti Ivanov është vënë në lëvizje për zgjidhjen se kujt duhet t’ia dorëzojë mandatin e radhës.
Ivanov zhvilloi dje një takim me ambasadorin e BE-së në Maqedoni Samuel Zhbogar dhe me kryetarin e gjykatës kushtetutese, ndërsa sot ai pritet të zhvillojë takime me partitë politike.
Njohës dhe ekspertë të së drejtës kushtetutese kanë komentuar se duhet të interpretohet lidhur me dhënien e mandatit për formimin e qeverisë dhe se presidenti ka këshilltarët e tij që të konsutlohet, shkruan “Zhurnal”, sipas së cilës, burime brenda partisë së Nikolla Gruevskit thonë se Ivanov nuk do të mandatojë Zoran Zaevin për të formuar qeverinë e re.
Por si do të vijojë procedura?
Sipas “Zhurnal”, brenda partive politike do të fillojnë konsultat për formimin e shumicës parlamentare që fillimisht do të zgjedhin kryeparlamentarin. Kështu sipas informacioneve jozyrtare që ka Zhurnal, kjo shumicë e re parlamentare do të bëhet mes LSDM-së, BDI-së dhe LR PDSH-së, e që më pas kjo procedurë do të detyrojë presidentin e vendit Ivanov që të ndajë mandatin për formimin e qeverisë dhe atë në mënyrë të detyruar nga rrethanat dhe situata e krijuar në vend.
Sipas gjitha gjasave, kryeparlamentari për herë të parë në historinë e shtetformimit të Maqedonisë do të jetë shqiptarë dhe shqiptarët përfundimisht gjatë një mandati do të drejtojnë institucionin më të lartë ligjvënës në Maqedoni.
Se cili do të jetë deputeti që do të kryesojë parlamentin në postin e kryeparlamentarit pritet të shihet edhe pse në opinion tashmë ka nisur përfolja e dy kandidatëve edhe atë Talat Xhaferit nga BDI dhe Ziadin Selës nga LR PDSH, mirëpo e gjithë kjo do të bëhet e ditur pas konsultave të partive politike që do të formojnë shumicën parlamentare lidhur me ndarjen e dikastereve që do të drejtojnë. /albeu.