Forcat izraelite të sigurisë kanë arrestuar përfaqësuesin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Koordinim (TIKA) Muhammad Murtec për Gaza-n, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtetasi palestinez Murtec është arrestuar të dielën, në kohën kur përkundër të gjitha lejeve të nevojshme të pajisura nga autoritetet izraelite u përpoq të dalë nga Rripi i Gazës përmes pikës kufitare të Beit Hanunit.
Muhammad Murtec ka qenë duke shkuar në takimin e rregullt vjetor trajnues në Ankara, të cilin agjencia e organizon për të punësuarit e saj.
Ndërkohë, ai akoma mbahet në paraburgim nga forcat izraelite.
Lajmi është konfirmuar nga zyrtari i Ministrisë palestineze për Punë Civile, Muhamed el-Mukadime i cili ka thënë se forcat izraelite kanë arrestuar Murtec-in të dielën pasdite.
Ambasada turke në Tel Aviv njofton se është duke punuar mbi rastin ndërkohë që drejtuesit e TIKA-s në Ankara kanë kontaktuar ambasadën izraelite për të marrë shpjegime se përse Murtec është arrestuar.
Institucionet izraelite deri më tani nuk kanë komentuar mbi rastin.