Fitorja përballë Maqedonisë nuk i ka shërbyer shumë Kombëtares shqiptare të futbollit, e cila ka humbur tri pozicione në renditjen e FIFA-së për muajin shtator
Kombëtarja shqiptare ka rënë për tre pozita në renditjen e FIFA-së për muajin shtator. Nga vendi i 37-të, ekipi kuqezi ka rënë në vendin e 40-të.
Fitorja ndaj Maqedonisë, me rezultat 2:1, në kualifikimet për Botërorin ‘Rusia 2018’, nuk i ka ndihmuar ekipit të De Biasit të ngjitet më lartë, pasi kuqezinjtë e kanë humbur në tavolinë ndeshjen miqësore me Luksemburgun.
Sa u përket skuadrave të tjera të Grupit G të eliminatoreve të Botërorit, ku bën pjesë Shqipëria, Spanja pozicionohet më lart, në vendin e 11-të, por duke zbritur 3 shkallë në krahasim me një muaj më parë.
Italia e ndjek në vendin e 13-të, gjithashtu me 3 vende të humbura brenda muajit të fundit. Izraeli renditet në vendin e 98-të, pasi ka humbur 22 pozicione në këtë muaj, ndërsa Lihtenshtejni është i 182-ti, e vetmja skuadër e grupit që nuk ka lëvizur në krahasim me muajt e mëparshëm.