Nga: Kim MEHMETI
Përderisa Kryeministri i Shqipërisë fotografohet me futbollistë të famshëm, me qindra mijë të rinjë shqiptarë, ëndërrojnë ta braktisin vendlindjen!
Derisa Presidenti i Kosovës merret me ndarjen e vendit, si të ishte ajo livadh i tij privat – me çka mbase do e shpëtojë vetveten nga Gjykata Speciale dhe, do bëhet nobelist, nga i cili do turpërohet mbarë shqiptaria – shqiptarët e Kosovës ndjehen aq të molisur nga lojërat politike, sa janë bërë thuajse të pandjeshëm ndaj fatit të tyre.
Dhe përderisa pushtetarët shqiptarë në Maqedoni, i frikon mundësia e dështimit të referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit, vendbanimet shqiptare kanë mbetur thuajse me aq banorë, sa është numri i përkrahësve të BDI-së, të punësuar nëpër institucionet shtetërore.
Po pra, sa u përket burrështetasve të ‘Shqipërive’ tona, ke përshtypjen se ata merren, o me ‘shitjen’ e tokave shqiptare, o me dëbimin e rinisë sonë!
Dhe të duket se nga gjitha ekzodet dhe gjenocidet e deritanishme me të cilët është përballur shqiptaria, këto të viteve të fundit, janë më të dhembshëm, më tragjikë dhe më shktatërrimtarë! Edhe atë jo vetëm pse ato i zbatojnë burrështetasit shqiptarë, por pse fajtor jemi të gjithë ne që e vumë në ‘gjumë’ popullin, duke mos i treguar se vlerë më e çmuar e shumicës së burrështetasve tanë, është vetia e tyre e kundërt nga ajo që i dallon qentë: e lehin dhe e kafshojnë të vetin, por i lëpihen dhe i gjunjëzohen të huajit!
Dhe duke e parë se janë të tillë, shumë qendra Perëndimore, e kuptuan se ndaj tyre duhet ta përdorësh parimin: sa më të ulët e ka politikani shiptarë dinjitetin, moralin dhe koeficientin e intelegjencës, aq më bindshëm u nënshtrohet vlerave ‘demokratike’!”