Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kanë harxhuar 1,5 milion euro për reklama televizive, radio dhe gazeta, raporton novatv.
Deri më tash raporte deri të Komisioni për antikorrupsion kanë dorëzuar 40 media, në mesin e të cilave edhe televizione, radio dhe gazeta. Televizioni i Sead Koçan TV Nova ka dorëzuar listë të zbrazët, njofton portali Nova.
Partia e Nikolla Gruevskit , VMRO-DPMNE, më shumë është reklamuar gjatë fushatës zgjedhore, por deri më tani nuk ka paguar asnjë denar. Sipas raporteve të deritanishme, VMRO-DPMNE është reklamuar në shumë prej 741 mijë euro, pason LSDM me 490 mijë euro, prej të cilave 206 mijë ka paguar.
E treta vijon BDI, e cila për reklama televizive ka harxhuar 140 mijë euro. Prej tyre 130 mijë euro në televizionin Alsat-M dhe 10 mijë euro në TV Koha- Tetovë.
Pason Lëvizja Besa me 82 mijë euro për reklama, pastaj koalicioni për Maqedoninë 43 mijë euro, PDSH me 12 mijë euro. Partia liberale është reklamuar vetëm në TV Sitel në vlerë prej 10 mijë euro.
Në këto zgjedhje, mediat gjithashtu nuk kanë guxuar të paraqiten si donator të fushatës zgjedhore.
Ne ciklet e mëparshme zgjedhore mediat ishin donator më të mëdhenj të VMRO-DPMNE-së, cila është partia më e pasur në Europë.