Portali Sakte.net sjell një fragment nga intervista e themeluesit të PDSH’së në Maqedoni, Arbën Xhaferit. Ish lideri dhe publicisti i ndjerë. Arbën Xhaferi kishte deklaruar ndër të tjera se ishte larguar me dëshirë që të krijoj hapësirë për të rinjtë që të dëshmojnë veten lirisht, pa kurrfarë konfliktesh të brendshme që aq shumë e kontaminojnë skenën politike shqiptare.
Z. Xhaferi, pas largimit tuaj dhe zgjedhjes së Menduh Thaçit në krye të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, a mendoni se do të ndryshojë edhe vija e drejtimit të saj?
Arbën Xhaferi
Do të ishte jonormale të mos ndryshojë. Çdo njeri ka specifikat e veta, vlerësimet e veta për zhvillimet në ekonomi, në politikë, në shoqëri në përgjithësi. Nëse politika do të jetë në relacion me dukuritë reale në shoqëri, mendoj se do të ketë perspektivë, por nëse do të jetë në funksion të interesave joformale, do të hasë në pengesë. Unë kam besim se udhëheqja e re e PDSH-së do të zhvillojë një politikë sinkrone me problemet që shfaqen në shoqëri dhe do të gjejë rrugë për zhbllokim të pengesave që hasen në veprimtarinë politike. Nga ana ime nuk do të kenë kurrfarë pengesash, nëse do të hulumtojnë dhe gjejnë rrugë të reja për realizmin e programit politik që u miratua në Kongresin e IV-të. Vlerësoj se tani është momenti që të europeizohet partia, të modifikohet sipas koncepteve të partive popullore evropiane të qendrës së djathtë. Unë u largova me dëshirë që të krijoj hapësirë për të rinjtë që të dëshmojnë veten lirisht, pa kurrfarë konfliktesh të brendshme që aq shumë e kontaminojnë skenën politike shqiptare. Jam i qetë që pas vetes lë një parti të konsoliduar si nga aspekti doktrinar ashtu edhe strukturor. Nëse do të kem nevojë ta dëshmoj relevancën time, këtë sëmundje që i mundon të gjithë politikanët, atëherë do të gjej forma të tjera duke mos e trazuar partinë që e udhëhoqa 14 vjet.