Jakup Krasniqi tregon se kush ia montoi hetimet e reja Fatmir Limajt!

Inicimin i hetimeve të reja nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj kreut të Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, e ka quajtur si të montuar politikisht kryetari i Këshillit të NISMA-s, Jakup Krasniqi.

Krasniqi, duke besuar në pafajësinë e liderit të partisë së tij, tha se inicimi i hetimeve të reja, nuk është një përndjekje vetëm nga prokuroria por edhe nga politika e vendit.

“Realisht ne e kemi thënë fjalën tonë për këtë çështje, ne konsiderojmë që është një përndjekje jo vetëm nga prokuroria por edhe nga politika e Kosovës dhe jam i bindur që do të përfundoj si të gjitha përndjekjet tjera të deritashme në lidhje me çështjet e luftës“, tha ai.

Ndryshe hetimet ndaj Limajt, Krasniqi, i sheh si një përndjekje të pastërt politike për ta eliminuar liderin e NISMA-s nga skena politike.

“Realisht janë më shumë se të montuara politikisht, kjo është një përndjekje që është për të ardhur keq, pasi konsideroj që prokuroria si organ është tepër e kapur, prokuroria në Kosovë ka njëqind e një probleme tjera që duhet t’i hetojë dhe nuk ja fillon fare, prandaj kjo është një përndjekje e pastërt politike për eliminime politike“, ka thënë Krasniqi.

Por, kryetari i Këshillit të NISMA-s është i bindur se bashkëpartiaku i tij, Limaj do të dalë i pafajshëm edhe në këtë proces gjyqësor.

“Në të gjitha proceset gjyqësore Fatmir Limaj, ka dalur i pastërt dhe nuk dyshoj fare se edhe kësaj radhe do të dal i pafajshëm“, është shprehur Krasniqi.

Hetimet e reja nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Limajt lidhen me ngjarjet e vitit 1998 në fshatin Bellanicë të Malishevës.

Aktakuza për rastin Bellanica është ndër aktakuzat e para të ngritura nga prokurorë vendorë për krime të luftës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu