Presidenti rumun Klaus Iohannis dha dorëheqjen nga detyra në një masë që ai tha se ishte për të parandaluar hyrjen e vendit në një krizë që do të pasonte pasi parlamenti pritej të votonte për shkarkimin e tij.
“Për të shpëtuar Rumaninë dhe qytetarët e saj nga kjo krizë, po jap dorëheqjen nga posti i presidentit të Rumanisë. Do të largohem nga detyra pasnesër, më 12 shkurt”, tha Iohannis në një deklaratë.
Bëhet e ditur se në detyrë që nga viti 2014, Iohannis ka shërbyer tashmë maksimumi dy mandate pesëvjeçare, shkruan euronews.
Megjithatë, presidenca e tij u zgjat pasi Gjykata Kushtetuese në dhjetor anuloi rezultatet e garës presidenciale në të cilën ultranacionalisti kontrovers Calin Georgescu fitoi papritur raundin e parë.
Raportohet se fitorja e Georgescu u dëmtua nga akuzat për ndërhyrje ruse dhe shkeljet elektorale pasi doli se një rrjet online kishte mbështetur artificialisht shtrirjen e tij në rrjete sociale në prag të votimit.
Parlamenti i vendit pritej të diskutonte dhe votonte një kërkesë të tretë për të pezulluar Iohannis nga detyra të martën.
Ndërkohë dy kërkesa të mëparshme, të paraqitura nga partitë opozitare, u refuzuan për arsye procedurale.
Ndryshe, shefi i Senatit do të bëhet president i përkohshëm i Rumanisë pas dorëheqjes së Joanis.