Jeta e Adem Demaçit ishte e zhurmshme, s’kishte si të jetë ndryshe as vdekja e tij

Nga Xhevdet Pozhari

Debati midis Adem Demaçit dhe Fehmi Aganit ka qenë një prej debateve që e kam ndjekur pa frymë, si fëmijë. Ndonëse asokohe pak çka kuptoja nga përmbajtja, e di se me javë ishte përfolur ai debat. Njëri mbronte kauzën e “durimit”, tjetri shkrepëtinte si rrufe dhe thërriste për mobilizim.

I prerë dhe i shpejtë, pa kalkulime e ekuivoke, Demaçi e dominonte debatin dhe provokonte emocionet e të rinjve. Por, Agani e gëzonte simpatinë e popullit. Simpatinë e një populli që i kishte ra për hise të jetonte në një vend të pafuqishëm e të okupuar, fati i të cilit varej kryekëput nga mëshira e superfuqive botërore.

Fehmi Agani ishte njeriu më trim, intelektuali më i madh, më i guximshëm që kishte LDK-ja. Ndonëse arma më e fortë e të ndjerit nuk ishte oratoria, por shkrimi, asnjë LDK-ist elokuent i asaj kohe, nuk merrte guximin të përballej me Demaçin. Edhe vetë Rugova ishte vetëm një kukull që fshihej pas hijes së tij.

Edhe vdekja e Aganit ishte po aq dinjitoze, sa edhe vetë jeta e tij. Ai u vra nga forcat serbe duke refuzuar që të fshihej e në vend të tij të vriteshin të rinjtë. Agani e dinte si askush tjetër peshën dhe koston që ka përfaqësimi i një populli. E kundërta ndodhi me Rugovën. Ai u përqafua e buzëqeshi me kasapin e Ballkanit që ta mbronte familjen e tij, derisa populli të cilin e përfaqësonte vritej e masakrohej. Serbët e dinin se Agani, e jo Rugova, ishte “koka”. Më vonë këtë do ta thonin haptazi edhe themeluesit e LDK’së.

Sot, LDK-ja paska vendosur ta bojkotojë ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit. Pretekst, sipas tyre, qenkan fyerjet që Demaçi ia paska bërë Rugovës.

LDK më ofendues e paska konsideruar një qëndrim publik të një kundërshtari politik që përfaqësonte krahun e luftës sesa faktin se sot ajo udhëhiqet nga ish ministri i Rrahman Morinës.

E, brenda në LDK sigurisht se ka njerëz që Demaçin e çmojnë më shumë sesa vetë liderin e partisë së tyre. Njerëz që mendojnë dhe veprojnë siç veproi i ndjeri, Fehmi Agani. Vetëmse ata do të duhej ta kishin edhe guximin e tij!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu