Joveski në verdikt kishte ardhur në përfundim se aktivitetet e këtyre personave të organizuar në “Shtabin për mbrojtje kombëtare” dhe më pas nën ombrellën e PPD-së, janë zhvilluar prej vitit 1991 dhe kishin ardhur në shprehje pikërisht në momentin kur Maqedonia kishte fituar pavarësinë në vitin 1993
Shkup, 16 mars – Në vitin 1994, Lubomir Joveski, ka qenë gjykatësi, i cili ka dhënë verdiktin në rastin e “Aferës së armëve” në të cilën aktivistë, anëtarë dhe funksionarë të lartë politik të Partisë për Prosperitet Demokratik përfunduan në burgje. Një nga të dënuarit madje ka humbur jetën nga keqtrajtimet dhe rrahjet e policisë së asaj kohe, shkruan gazeta KOHA.
Këtij verdikti famëkeq i parapriu arrestimi masiv i aktivistëve dhe funksionarëve të PPD-së në vitin 1994, por edhe zyrtarëve qeveritar në mesin e të cilëve edhe zëvendësministri i mbrojtjes Hysen Haskaj, i cili kishte 3 muaj që kishte marrë funksionin. Ishte arrestuar edhe Mitat Emini zyrtar i lartë i PPD-së, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Mitat Emini, Hasan Agushi, Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Shinasi Rexhepi, Hysen Haskaj, Burim Murtezani, Akif Demiri, Abdiselam Arsllani, Eugen Cami dënoheshin për shkak të tentativës për prishjen e rendit Kushtetues të Maqedonisë së pavarur.
Joveski në verdikt kishte ardhur në përfundim se aktivitetet e këtyre personave të organizuar në “Shtabin për mbrojtje kombëtare” dhe më pas nën ombrellën e PPD-së, janë zhvilluar prej vitit 1991 dhe kishin ardhur në shprehje pikërisht në momentin kur Maqedonia kishte fituar pavarësinë në vitin 1993. Prokuroria dhe gjykata kishin ardhur në përfundim se ky grup kishte financim dhe logjistikë nga shqiptarët jashtë Maqedonisë që u siguronin armatim dhe para por se personat kryesor që do të organizonin kryengritje dhe trazira ishin shqiptarët e Maqedonisë.
Gazeta KOHA përkujton se atëkohë, nga shqiptarët është quajtur “Afera e armëve”, ndërsa maqedonasit e quanin “forca paraushtarake”. Edhe pse pati një epilog gjyqësor, rrethanat e vërteta nuk janë zbardhur kurrë. Ndryshe, Lubomir Jovevski, kryeprokurori i shtetit i emëruar në këtë detyrë më 25 dhjetor vitin e kaluar. I lindur më 3 janar 1954 në fshatin Dollgaec të Prilepit, Jovevski, Fakultetin Juridik në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku edhe diplomoi në vitin 1978. Në biografinë e tij personale, Jovevski ka më shumë se 15 vite punë si gjykatës në lëndë nga fusha penale, më shumë se 12 vite punë si prokuror publik dhe 7 vite punë në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale. Pas diplomimit, në vitin 1979 është punësuar në Sekretariatin shtetëror për jurisprudencë, ku pas stazhit si praktikant, ka punuar si referent, referent i lartë dhe më pas Këshilltarë – Inspektor në Sektorin e ekzekutimit të sanksioneve penale.
Më 9 nëntor 1987-1995, Jovevski është zgjedhur gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, ndërsa në vitin 1995 dhe 1996 e ka kryer funksionin nënkryetar i Gjyqit. Më korrik të vitit 1996, është ushtrues detyre kryetar, pas çka është zgjedhur edhe kryetar i Gjykatës themelore Shkupi 2 – Shkup me mandat katër vjeçar. Për zëvendësprokuror të Prokurorisë publike të Maqedonisë është zgjedhur më 10 prill 2003, derisa më 15 prill 2009 është zgjedhur Prokuror publik në atë prokurori. Këtë funksion Jovevski e ka realizuar deri në zgjedhjen e tij anëtarë të Këshillit për Prokuror publik më 23 dhjetor 2015. (koha.mk)