“Jugohrom” kërkon afat shtesë për filtrat, punëtorët kërcënojnë me protesta

Kombinati i Jugohromit sipas gjitha gjasave do të mbetet i mbyllur deri në fund të muajit prill, ndërsa procedura për vendosjen e filtrave pritet të përfundojë në fund të 2017-ës ose fillim të 2018-ës.

Drejtori i përgjithshëm i Jugohromit, Vasil Skenderovski tha se vendosja e filtrave nuk mund të përfundojë për tre muaj.

Sipas tij të punësuarit për muajin dhjetor do të marrin 70 për qind të pagës.

“Inspektorati atëherë solli vendim për mbyllje meqë nuk janë plotësuar të gjitha kushtet por pa I marrë parasysh faktorët objektiv se pse ajo ndodhi.

Sikur të gjithë mundësitë ti kemi për 3 muaj e gjysmë ajo punë nuk mund të bëhej.

Sistemi I repartit numër 2 I cili është 50% e kapacitetit të Jugohromit do të përfundojë diku rreth fundit të prillit, fillimit të majit.

Përfundimi I tërësishëm I gjithë repartit do të përfundojë kah fundi i 2017-ës ose fillim i 2018-ës”, tha Vasil Skenderovski, Drejtor i përgjithshëm i ‘ Jugohromit’ për Alsat.

Por kreu i Sindikatës së punëtorëve të Jugohromit Bajram Amiti tha se 70 për qind e pagës për muajin dhjetor nuk zgjidh problemin e të punësuarve. Ai paralajmëroi protesta.

“Ky vendim është afatshkurtër, siç kaloi muaji i 11 ashtu do kalojë edhe muaji I 12, prandaj kërkojmë nga institucionet, gjegjësisht nga Ministria e ekologjisë dhe Inspektorati shtetëror t’i tërheqin vendimin për mbyllje dhe të sjellin vendim tjetër, sepse derisa nuk i plotësojnë kërkesat tona atëherë do të vazhdojmë me protestat tona, por më radikale”, tha Bajram Amiti, Kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Jugohromit.

Vendimi për mbylljen e Jugohromit u mor më 1 nëntor pas konstatimit të inspektoratit të ekologjisë se kombinati nuk ka vendosur filtrat në afatin e paraparë. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu