Ka përfunduar seanca e parë kundër vrasësit të Almir Aliut (VIDEO)

Përfundon seanca e parë për gjykimin e vrasjes së Almir Aliut. Orë të gjata gjykimi ditën e sotme nuk sollën përfundim konkret për vrasjen e vogëlushit. I akuzuari për vrasjen e tij Boban Iliq, gjatë gjithë kohës provokonte familjarët me fjalë dhe gjeste. Në seancë, sot u dëgjuan nëna e Almirit, Mixhevere Kasumi, si dhe dëshmitarët e palës mbrojtëse Bojan Iliq dhe Tanja Dimkovska. Nënë Mixheverja gjatë gjithë kohës që përshkruante ndodhinë e asaj nate, kishte syt e përlotur dhe kërkonte që vrasësi i birit të saj të dënohet me burgim maksimal, njofton Shenja.

“Vrasja ka qenë e qëllimshme, sepse po të ishte e paqëllimshme nuk do të kërkoja asgjë. Por, ai ka pasur qëllim që jo vetëm birin, por gjithë familjen të na shtyp me veturë, prandaj kërkoj që ai të dënohet maksimalisht. Përveç që ma mori djalin Almirin, edhe dy fëmijët e tjerë nuk mund të shkojnë në shkollë, pasi kanë frikë të dalin në rrugë”, ka deklaruar Mixhevere Kasumi, nëna e Almirit të vogël.

Në anën tjetër, Bojani, vëllai i Boban Iliqit dhe e dashura e tij Tanja, përshkrimin e bënin ndryshe, jo vetëm nga pala tjetër, por edhe mes tyre, edhe pse i takonin të njejtës palë.

“Në momentin që ne u kthyem me veturë në vendin që e kishim të parkuar veturën, pra para Shtëpisë së Shëndedit, disa njerëz u vërsulën mbi veturën tonë dhe filluan të na sulmonin, duke na nxjerrë pastaj mua dhe Bobanin jashtë veturës dhe duke na grushtuar”, ka deklaruar Bojan Iliq.

“U nisëm drejtë me veturë, por kur arritëm në fund të rrugës, pamë që rruga nuk kishte dalje, pastaj u kthyem prapë dhe kur arritëm tek Shtëpia e Shëndetit, në të dyja anët kishte një grup njerëzish që na gjuanin me gurë dhe pastaj ne e humbëm drejtimin dhe vetëm e pamë që u përplasëm diku”, ka thënë Tanja Dimkovska.

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq tha se sot opinioni ishte dëshmitarë se i akuzuari lëre që nuk e pranoi fajin, por edhe nuk ndjehej aspak fajtor për veprën që e kishte bërë dhe për të cilën akuzohet.

Ndërsa, avokati i palës mbrojtëse Stevan Pavleski tha se drejtësinë e lë që ta vendosë gjykata dhe se puna e tij si avokat është që të dëshmojë se i akuzuari Boban Iliq veprën e ka bërë pa qëllim.

Në anën tjetër një numër i madh njerëzish ishin mbledhur para gjykatës Themelore të Kumanovës që t’i jepnin përkrahje familjes Aliu. Qindra qytetarë të organizuar nga Organizata joqeveritare “Zani”, bënë të ditur se do të jenë prezent në çdo seancë në mënyrë që ta mbeshtesin këtë familje. Gjithashtu ata thanë se kjo protestë nuk ka për qëllim që ti bëjnë presion organeve të drejtësisë.

Gjithashtu pala mbrojëtse ka ngritur padi kundër 3 personave, Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Samir Demiri, për kryerje të veprës penale “dhunë”. Ndërkaq, seanca e ardhshme është shtyrë për më datë 28 të këtij muaji./Telegrafi/



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu