Kaloi rebalanci i dytë i buxhetit, do të kompensohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Komisioni për financa dhe buxhet i dha dritë jeshile rebalancit të dytë të buxhetit për vitin 2016, me të cilin planifikohet të kompensohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

LSDM konsideron se mund të sigurohen 27 milionë euro për kompensimin e banorëve pa i përdorur fare paratë e euro-obligacionit. Nëpërmjet 11 amendamenteve, opozita propozoi shkurtimin e mjeteve nga disa projekte të caktuara, të cilat sipas LSDM-së nuk janë prioritare për qytetarët, dhe njëherazi me qëllim që të shmanget deficiti buxhetor, njofton TV21.

“Propozojmë që në vend të huamarrjes së re, të shkurtojmë mjete atje ku mundemi. Për shkak të kësaj propozuam 11 amendamente, për të cilat ju siguroj që kanë punuar persona profesionalë dhe kompetentë”, thotë Vasko Kovaçevski nga LSDM.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë qe nuk duhet shkurtuar mjete financiare nga projektet për investim, sepse të njëjtat janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

“Ne themi që mënyra e vetme është rebalanci i buxhetit përmes së cilit mund të sigurohet një shumë e lartë prej 36,4 milionë euro. Kjo shumë parash mund të sigurohet duke huazuar nga rezervat, respektivisht nga euro-obligacioni i cili është i planifikuar për vitin 2017”, thotë Kërsto Mukoski, deputet i VMRO-DPMNE.

Rebalanci do të votohet në seancën e paracaktuar më 19 shtator. Sipas ligjeve, pagesa e kompensimit për banorët e zonave që u vërshuan më 7 gusht mund të filloj një ditë pas miratimit të vendimit për rishikim të buxhetit. Kurse, kjo do të thotë që banorët do të mund t’i marrin paratë duke filluar që prej 20 shtatorit./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu