Deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi në replikën e saj ndaj deputetit të VMRO-DPMNE-së, Vlatko Gjorcev në lidhje me deklaratën e tij skandaloze për përdorimin e gjuhës shqipe i tha se i njëjti nuk ka vullnet për ta interpretuar drejt dispozitën kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe.
Azizi dyshon në profesionalizmin e Gjorcevit në lidhje me këtë pikë dhe theksoi ndërmjet tjerash se gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë është zyrtare, se po të ishte e kundërta, atëherë ajo e njëjta nuk do të kishte mundësinë që të fliste shqip në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
“E bërtitura nuk u dha peshë fjalëve tuaja e aq më pak na frikësoi ne. Së dyti, nuk jeni ju para mitingut të VMRO-së edhe pse po flisni siç e tha edhe kolegia ime në mënyrë skandaloze me një retorikë nacionaliste, çmendurirat më të mëdha që nuk kam arritur t`i dëgjoj në Parlament për sa jam deputete.
Unë e kuptoj faktin se ju mund të ndjeheni i rrezikuar, mund të ndjeheni i frustruar, mund të ndjeheni i kompleksuar, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk ua jep të drejtën të flisni se si folët ditën e premte në Komision. Filluat me çështjen e federalizmit, përmendet zotëri Kurti, përmendët dhe një sërë çështjesh tjera që nuk mbajnë dhe sikur edhe shumë koleg tuaj edhe ju folët për çështjen e gjuhës shqipe.
Unë juriste jam vet, prandaj nuk do të kërkoj interpretim të dispozitës kushtetuese nga ju i nderuari koleg për dy arsye: a) së pari sepse i kam dilemat e mia se atë profesionalisht a do të dini ta bëni dhe b) së dyti kam dilemat e mia se ju keni vullnet ta bëni në mënyrë të drejt interpretimin e dispozitës kushtetuese për gjuhën shqipe.
I nderuar koleg, nuk do të interpretoj as unë, por thjeshtë do të jap një shembull shumë konkret dhe të qartë mbi atë se a është gjuha shqipe gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë apo jo.
Unë sot në këtë tempull të demokracisë, në këtë institucion më të lartin shtetëror flas shqip. Në qoftëse gjuha shqipe nuk do të ishte zyrtare unë sot nuk do të flisja shqip, do të flisja gjuhën që e flisni ju. Dhe më vjen keq për juve, por kjo nuk është merita e askujt tjetër përveç e atyre që luftuan në vitin 2001 dhe meritë e Marrëveshjes së Ohrit që garanton stabilitet për shtetin në të cilin bashkërisht jetojmë.”, deklaroi ndërmjet tjerash deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi./TetovaSot