Kaos në Kubë, miliona njerëz pa energji elektrike, mbyllen shkollat dhe bizneset

Një ndërprerje masive energjie ka lënë miliona kubanë pa energji elektrike, duke detyruar qeverinë të marrë masa emergjente për të ulur konsumin, përfshirë pezullimin e procesit mësimor, mbylljen e disa institucioneve shtetërore dhe anulimin e shërbimeve jo thelbësore.

Zyrtarët kubanë thanë se ndërprerja, e cila filloi të orët e vona të së enjtjes, shkaktoi mbylljen e 1.64 gigavatëve gjatë orëve të pikut në mbrëmje, e cila përbën rreth gjysmën e kërkesës totale për energji në atë kohë.

“Kjo situatë është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit,” tha Kryeministri Manuel Marrero në një fjalim të jashtëzakonshëm në televizionin kombëtar të premten në mëngjes.

“Ne duhet të jemi plotësisht transparentë… kemi ndaluar disa aktivitete ekonomike për të siguruar energjinë për popullin,” vijoi ai më tej.

Gjatë fjalimit, Marrero shoqërohej nga Alfredo López, kreu i kompanisë shtetërore të energjisë, UNE, i cili shpjegoi se ndërprerja ishte shkaktuar nga kërkesa e rritur për energji elektrike nga bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe nga kondicionerët e ajrit në shtëpi, së bashku me dëmtimet në centralet e vjetra termoelektrike, që nuk janë mirëmbajtur si duhet, dhe mungesa e karburantit për disa impiante.

Marrero gjithashtu përmendi se po mendohet për ndryshime në tarifat e energjisë elektrike për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtuar që nga viti 2021, kur qeveria komuniste i lejoi ato për herë të parë.

Ai u përpoq të qetësonte popullin kuban, duke përmendur se do të mundësohet një furnizim i ri me karburant që pritet të vijë nga kompania shtetërore e naftës së Kubës.

Edhe pse Kuba është mësuar me ndërprerje të shpeshta energjie për shkak të krizës së thelluar ekonomike, përmasat e ndërprerjes mbrëmjen e të enjtes e kanë shkaktuar shqetësim të madh në popullatë.

Banorët mbyllën dyert dhe dritaret që zakonisht i lënë hapur natën dhe ndezën qirinjtë ose llambat në shtëpitë e tyre.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu