Kasami: Humbës më i madh do të jetë ai që do të dalë nga koalicioni VLEN

Humbës më i madh do të jetë ai që do të dalë nga koalicioni VLEN. Thënia popullore thotë “ai që ndahet nga grupi, do ta hajë ujku”, thotë Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA për partnerin e tij në VLEN, Arben Taravari pas mosmarrëveshjeve në koalicionin dhe kritikat nga Aleanca për Shqiptarët për funksionimin e tij si pjesë e Qeverisë.

“Unë mendoj se VLEN peshon…, mos të flas më shumë, por njëjtë pa Taravarin sesa ka peshuar me të. Megjithatë, faktorët tjerë janë këtu. Nga ana tjetër, me çdo anëtar në një familje, në një koalicion, madje edhe në një parti, ka vlerë, pasi dikush do të jetë brenda. Por, cilido që të dalë, automatikisht krijon mundësi që dikush të hyjë. Unë mendoj se humbësi më i madh do të jetë ai që del, në rastin nga koalicioni VLEN. Thënia popullore thotë ‘ai që ndahet nga grupi, do ta hajë ujku’. Në këtë rast, mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, thotë Kasami në intervistë për Radio Evropa e Lirë për mosmarrëveshjet e fundit në koalicion.

Në pyetjen se sa janë gjasat nga perspektiva e sotme që koalicioni së bashku të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme lokale ose megjithatë është mundur që Taravari të largohet nga VLEN, vlerëson se është real opsioni që koalicioni të mbijetojë.

“Ende besoj se ka gjasa reale të vazhdojmë së bashku, sepse vlerësoj që së pari vlera e secilës parti, pjesë e VLEN-it, është më e madhe si pjesë e koalicionit sesa jashtë. Ne kemi tentuar edhe më parë, secili veç e veç, të sfidojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në dhe nuk kemi arritur. Ne ia dolëm mbanë vetëm kur qëndruam së bashku. Pra, shpresoj se kjo do të mbizotërojë tek çdo anëtar i këtij koalicioni dhe në fund do të dalim me një qëndrim të përbashkët se qëllimi që të jemi bashkë, mbetet i njëjti”, thotë Kasami


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu