Kasami: Kriza institucionale mundohet të kalojë në diversitetin etnik

Pas takimit me Komisionerin për Politikë Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, deklaroi se “partia e tij vazhdon të kontribuojë që Maqedonia të dalë nga kjo krizë e thellë institucionale, krizë e cila fatkeqësisht është duke u munduar të kalojë në diversionin etnik”, raporton Anadolu Agency (AA).

Eurokomisari Hahn fillon takimet me liderët politik

Kasami bëri të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë që vendi të dalë nga kjo krizë politike si dhe mbi përkrahjen e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Maqedonisë, përkrahje e cila sipas tij, duhet përshëndetur. Ai kërkoi nga subjektet tjera politike që të reflektojnë, të angazhohen dhe të jenë pjesë e bisedave për dalje të vendit nga kriza politike.

Në lidhje me komentet e mëparshme të Eurokomisarit Hahn, i cili porositi që qeveria e re duhet të formohet në mënyrë sa më të shpejtë, Kasami theksoi se: “Hahn nuk është këtu që të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë. Ata na përkrahin në vendimet të cilat i marrim dhe na ndihmojnë që më lehtë t’i ndërmarrim këto vendime. Mirëpo, ata nuk kanë një shkop magjik apo një ofertë konkrete prej të cilët duhet të ecim ne si parti politike, por edhe si shtet”.

Në vijim Kasami shtoi se aktualisht janë në procesin e krijimit të një shumice parlamentare, gjë e cila është siguruar, dhe t’i kërkohet zyrtarisht presidentit të shtetit dorëzimi i mandatit, pas së cilës duhet të nisin bisedimet për formimin e Qeverisë së re.

Kasami i komentoi edhe deklaratat e presidentit Gjorge Ivanov, i cili thekson se nuk do të japë mandatin nëse subjektet politike nuk tërhiqen nga platforma shqiptare.

“Edhe njëherë përsërisim se nuk ka asnjë platformë apo platformë nga Tirana, por ka një deklaratë të partive politike shqiptare për kërkesat e shqiptarëve, kërkesa të cilat janë që 25 vite në sistemin demokratik. Ata kërkesat, kërkohen të realizohen në përputhje të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Kasami.

Eurokomisari Hahn i shoqëruar nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, sapo i filloi takimet me përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për dalje nga kriza politike në të cilën vendi është përfshirë për një periudhë të gjatë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu