Kasami: Qeveri teknike, vazhdim i mandatit të PSP-së dhe Gjykatë Speciale (VIDEO)

Kryetari i Lëvizjes Besa ka dhënë një intervistë për Nova Tv, pas rezultatit të zgjedhjeve, ku pritet që kjo parti zyrtarisht të ketë 5 deputetë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai ka folur për llojin e qeverisë që i duhet Maqedonisë, zgjedhjet, federalizimin dhe parregullsitë zgjedhore. Sipas tij, Besa ka mundur që të arrijë rezultate më të mira në këto zgjedhje, nëse nuk do të kishte disa parregullsi.

Kasami falënderon vullnetin e mirë të Menduh Thaçit për porosinë e tij rreth votave të PDSH-së. Sipas Kasamit, Besa është një ekip me rini dhe të aftë dhe se kanë çfarë t’i japin Maqedonisë.

Në lidhje me përkrahjen e shqiptarëve për LSDM-në, Kasami tha se kjo është si rezultat i politikës së deritanishme të BDI-së, që sipas tij, nuk arriti të realizojë asnjë kërkesë kolektive të shqiptarëve.

Kasami flet për dyshime rreth rezultateve të KSHZ-së, që sipas tij, në fillim u tha se Besa ka 9 deputetë, kurse më pas doli që ky numër të ulet në 5. Ai përmend edhe mospërputhjen e procesverbaleve dhe raporteve dërguar në KSHZ.

Në lidhje me qeverisjen e re, Bilall Kasami mendon se duhet që në Maqedoni të ketë një qeveri teknike për të ndarë përgjegjësinë për të ardhmen e shtetit, fillimisht për t’u kthyer besimi i qytetarëve në institucione, vazhdimi i punës së PSP-së, si edhe gjetjen e një mundësie për një Gjykatë Speciale.

Sipas tij, në këtë qeveri nuk duhet të ketë vend për njerëz që janë nën hetime./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu