Kasami: Zgjedhjet patjetër të mbahen më 11 dhjetor

Mbajtja e zgjedhjeve më 11 dhjetor është e domosdoshme. Kështu ka vlerësuar numri një i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se nga aspekti politik dhe të sigurisë vlerësojnë se zgjedhjet duhet të mbahen në dhjetor, pavarësisht mospërputhjeve ligjore të cilat, sipas tij, partitë qeveritare jo rastësisht i kanë lënë të pazgjidhura, që të kenë alibi mëse nuk duan t’i pranojnë zgjedhjet.

“Për këtë arsye ne vlerësojmë se pavarësisht gjithë asaj që po ndodh Maqedonisë i duhen zgjedhje më 11 dhjetor që njëherë e përgjithmonë të dalim nga kjo situatë politike, nga krizë e rëndë sigurie në të cilën ndodhet shteti, në të cilën  ndodhen institucionet dhe njëherë e përgjithomonë të kthehemi në rrugën e integrimeve në BE dhe në NATO”, ka deklaruar Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA.

I pyetur në lidhje me aktivitetet e LSDM-së për të tërhequr elektoratin shqiptar, ai ka thënë se do të ishin të gëzuar nëse Maqedonia nuk do të ishte e ndarë në linja etnike. Megjithatë, sipas tij, vendi në këtë situatë që ndodhet, fatkeqësisht partitë e deritanishme politike shumë keq kanë menaxhuar me situatën politike dhe institucionet në vend që të investojnë në kohezionin shoqëror, investojnë si të ndajnë qytetarët në bazë të linjës etnike dhe në këtë drejtim për të sunduar popullin, funksionon sipas asaj përça dhe sundo.

“Ne vlerësojmë se edhe pse LSDM ka bërë hap inkurajues për tërheqjen e votave të shqiptarëve, por akoma nuk janë kushtet në Maqedoni të ekzistojnë dhe të kenë sukses opcionet qytetare, për arsye se shqiptarët akoma nuk i realizojnë të drejtat e tyre etnike si etnikum. Njëra ndër kryesoret është gjuha, kur akoma në Maqedoni diskutohet nëse gjuha shqipe do të jetë zyrtare, në nivel shtetëror, ne vlerësojmë që shqiptarët akoma nuk janë të gatshëm në munër të madh të votojnë për parti politike maqedonase edhe pse ka njerëz që tani më janë anëtarësuar aty, ne me një fjalë nuk kemi frikë që LSDM në situatë të këtillë do të na merr numër më të madh të votave të shqiptarëve”, ka thënë më tej ai.

Ai më tej ka shtuar se nëse Lëvizja BESA fiton zgjedhjet do të bënin koalicion me cilën do parti maqedonase që do të fitojë zgjedhjet me kusht që Prokuroria Speciale Publike të lejohet të kryejë punën e vet si duhet dhe në udhëheqësinë e kësaj koalicionuesit potencial të mos ketë procedura të hapura nga PSP.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu