Arben Taravari
Sipas londinezes Edith Durham, për të cilën lexoja dje dhe kuptova që ka qenë një grua e cila do na mbronte e ndihmonte në periudha shumë të vështira përgjatë odisesë tonë shtetformuese, ne, shqiptarët jemi “Fëmijët e Ballkanit”!
Ky përcaktim duket se është nga më të saktët deri sot, në këtë muaj, ditë e orë që shkruaj!
Pikaçuditëse (!) më mbyll fjalitë vetvetiu pasi në rreshtat e mi ka revoltë përzier me habi, çudi, huti që shprehin një gjëndje që të befason logjikën plus dhe imagjinatën!
Kushtet tona aktuale janë kështu:
1. Kemi një parti shqiptare në pushtet që na katandisur të kemi frikë për fëmijët;
2. Kemi një parti shqiptare në pushtet që CV e ka shëndruar në WC;
3. Kemi një parti shqiptare në pushtet që po boshatis përditë rrugët e këtij shteti nga shqiptarët;
4. Kemi një parti shqiptare në pushtet që sipas përgjimeve telefonike del e lyer e përlyer deri në fyt me krim;
5. Dhe kemi një parti shqiptare në pushtet dhe një parti “si opozitare” që, Vini Re: NUK I DUAN SHQIPTARËT!!
Nga ana tjetër kemi disa parti, të cilat quhen Opozitë, të cilat do të thotë janë Kundër/Anti/Opposed/Adversus.
Tani këto parti të cilat si bazë formuese kanë pasur Ndryshimin e Pushtetit të deritanishëm, kanë marrë tjetër çështje madhore mbi supet e tyre!! : kanë marrë përsipër të studiojnë, sqarojnë, evidentojnë, peshojnë çdo imtësi nga njëra tjetra, që të vendosin do bashkohen apo jo!!
Ndërkohë që mundësia e vetme që kemi është: o të bashkohemi dhe të mundim Bishën që është në pushtet, ose të rrimë të ndarë, e Bisha të na gëlldisë me kokë e këmbë!
Besoj që në këtë rast është krejt infantile dilema: të bashkohemi apo jo…
Nuk kemi njëqind vjet kohë për të vendosur, se rrezikojmë 100 vjet krime e luftë nëse lejojmë që kjo punë të vazhdoj kështu!
Ju lutem, le të tregohemi të mençur e adultë, dhe të bashkohemi!
Le të bëjmë një rezolutë paraprake ku vendos çdo parti kushtet e veta, ta firmosim, e të fillojmë garën.
Nuk dua të besoj që në opozitë ka ndonjë parti që do të bëj karierë me çdo kusht, deri edhe me Mosbashkim!
Ne Hercules quidem adversus duos!
As Herkuli nuk mund të luftojë kundër dyve ose ndryshe të ulim kokat e të pëshpërisim me turp e njëzëri se Ne: vestigium quidem ullum est reliquum nobis dignitatis…nuk na ka mbetur asnjë gjurmë Dinjititeti!