Kërcënohet ambasadori rus në Tiranë, kërkon ndihmën e specialistëve nga Moskë

Ambasadori rus në Tiranë Aleksandër Karpushin i është drejtuar zyrtarisht shtetit shqiptar, duke njoftuar autoritetet se ndihet i kërcënuar.

Burime diplomatike bënë të ditur për Vizion Plus, se Karpushin ka njoftuar që prej dy javësh, se ndihet i rrezikuar nga një grup ekstremistësh islamike nga Kosova dhe Maqedonia.

Të njëjtat burime thanë se ky grup, sipas diplomatit Karpushin, është vendosur në një apartament shumë pranë ambasadës ruse në Tiranë dhe vëzhgon prej disa kohësh të gjitha lëvizjet e ambasadorit si dhe të stafit të përfaqësisë diplomatike.

Ai ka theksuar se ekstremistët e ISIS janë ne gjendje te veprojnë gjithkund dhe në çdo rrethanë. Për pasojë, Karpushin ka njoftuar edhe stafin e ambasadës që te evitoje sa më shumë pjesëmarrjen në aktivitete masive.

Në kohën kur ambasadori rus në Ankara u qëllua për vdekje nga një ekstremist islamik e kur Shën Petërburgu u godit së fundmi nga aktet terroriste, sipas ambasadorit, kanë rritur shqetësimin për sigurinë e ambasadave ruse, përfshirë dhe atë në Shqipëri.

Burimet diplomatike theksuan se ambasada ruse nuk ka ofruar asnjë fakt konkret për grupin që pretendon se po kërcënon ambasadorin Karpushin.

Por ajo ka kërkuar shtim të personelit, për të sjellë nga Moska në Tiranë një grup ekspertësh të inteligjencës, që do të mund të përballonin kërcënime të tilla.

Vizion + pyeti ambasadën ruse por ajo nuk ka bërë komente. Personi që merret me shtypin, sipas ambasadës, nuk ndodhet në punë prej disa ditësh, ndërsa nuk dha përgjigje as pohuese dhe as mohuese mbi këtë çështje.

Kërkesa e ambasadës për të sjellë eksperte te inteligjencës ruse nga Moska, vjen në kohën kur Shqipëria po bëhet gati të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu