Kërkohet përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri: Afërsia e Ramës me Vuçiqin e pakuptimtë

Ditëve të fundit, kanë ndodhur disa zhvillime të cilat nuk kanë qenë në favor të raporteve Kosovë-Shqipëri.

Fillimisht, afërsia e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin, e më pastaj edhe ftesa e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë.

Duke u nisur nga këto zhvillime, raportet në mes dy shteteve shqiptare u konsideruan të zbehta dhe niveli i bashkëpunimit tejet i ulët.

Analisti politik, Adem Bytyçi në një prononcim ka komentuar marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, pas zhvillimeve të fundit.

Ai u shpreh se duke marrë parasysh raportet Kosovë-Serbi, afërsia e kryeministrit Edi Rama me presidentin Vuçiq është e pakuptimtë.

“Duke pasur parasysh raportet jo të mira Kosovë-Serbi, afërsia e kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është e pakuptimtë dhe e nxituar”, deklaroi Bytyçi.

Tutje, analisti kërkoi që Shqipëria të jetë me e rezervuar karshi raporteve me Serbinë, ku dihet se kjo e fundit ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra gjatë luftës së fundit.

“Politika aktuale e Shqipërisë, përderisa Serbia nuk e pranon shtetësinë e Kosovës dhe nuk ka kërkuar falje për krimet makabre të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës, do duhej të ishte më e rezervuar në vendosjen e raporteve aq miqësore me Serbinë”, theksoi ai.

Sipas Bytyçit, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë më të këqija. Ai kërkoi që të ketë përmirësim të raporteve ndërmjet dy shteteve shqiptare, pasi e kundërta i shkon në favor vetëm shtetit serb.

“Tani, pasi marrëdhëniet Shqipëri- Serbi kanë ndodhur, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija, por megjithatë duhet pasur kujdes në përmirësimin e raporteve vëllazërore Kosovë – Shqipëri, sepse në të kundërten do të ishte në favor të Serbisë kundër Kosovës”, potencoi analisti.

Krejt në fund, ai theksoi se Edi Rama nuk është e gjithë Shqipëria dhe se ka forca politike në shtetin amë që nuk i sakrifikojnë marrëdhëniet me Kosovën, për Serbinë.

“Një fakt duhet pasur parasysh se e tërë Shqipëria nuk është Edi Rama, ka edhe forca tjera politike në Shqipëri të cilat nuk do ta sakrifikojnë Kosovën për hir të marrëdhënieve të mira me Serbinë…”, përfundoi Adem Bytyçi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu