“Te drejtat e femijeve ne nje botë pa paragjykime” është motoja e sivjetme e Javës së Fëmijëve, e cila në Maqedoni tradicionalisht shënohet në javën e parë të tetorit, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Java e të drejtave te femijeve e cila do të mbahet në periudhën prej 3-7 tetor, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe komunikimit ndërkulturor në vend. Në Tetovë, kjo ngjarje organizohet nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim-Tearcë, dhe mbështetet nga Fondacioni Fshati i Fëmijëve Pestalozzi,në Trogen të Zvicrës.
Java e Fëmijëve në Tetovë, duke filluar nga e hëna deri të enjten, do të jetë e mbushur me evenimente dhe aktivitete të ndryshme artistike dhe sportive, qëllimi i të cilave është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve mbi këtë çështje.
Të hënën, me datë 03.10.2016, është dita e evenimentit të ashtuquajtur “Koloni Artistike”, ku fëmijë nga shkollat e mesme të Tetovës do të shprehin qëndrimin e tyre mbi të drejtat e fëmijëve nëpërmjet artit. Aktiviteti do të mbahet para Pallatit të Kulturës se Tetovës, me fillim nga ora 12:00. Dita e dytë, me datë 04.10.2016, është e rezervuar për aktivitet sportiv, ku katër ekipe të përbëra nga fëmijë të katër shkollave të mesme në Tetovë, promovojnë të drejtat e fëmijëve nëpërmjet një kampionati të vogël në volejboll. Kampionati do të zhvillohet tek salla sportive e Shkollës së Mesme Tekstile “Gjoce Stojçevski”, në Tetovë, me fillim nga ora 13:00
Të mërkurën, me datë, 05.10.2016, do të mbahet ekspozitë e krijimeve artistike të nxënësve nga dita e parë. Ekspozita do të mbahet para Pallatit të Kulturës se Tetovës, me fillim nga ora 13:00 dhe do të shiten me çmim simbolik. Mjetet nga shitja e këtyre krijimeve, do t’u dedikohen fëmijëve me nevoja të veçanta. Njëkohësisht, ftohen të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset private në vend, që të mërkurën të shfrytëzojnë rastin dhe të japin kontributin e tyre për një ndër grupet më të cenueshme të fëmijëve në vend dhe fëmijët në përgjithësi, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, ose kulturore./InfoShqip.com