Nga: Kim Mehmeti
Nuk besoj te ketë në Maqedoni ndonjë qytetarë të moshës madhore, i cili të jetë befasuar nga akuzat se Prokuroja Speciale ka bashkëpunuar me zhvatës dhe kriminelë. Apo se në Maqedoni ka ndonjë nevojtarë për dëshmi shtesë për ta kuptuar se ky shtet është në duart e ‘bokëve trediqi’ e ‘musave katriqi’, të cilët pasi i mbushin çantat me euro, me mikeshat e miqtë e tyre, bëjnë politikë me brekët nëpër këmbë.
Nuk besoj të ketë në Maqedoni ndonjë qytetarë që nuk e dinë se çdo burrështetas i këtij vendi, duke mos përjashtuar as Kryeministrin e tij të sotëm, ka grupin e vetë të ‘këshilltarëve’ shqiptarë, ‘këshilltarë’ të rangut të lartë në piramidën e rrugaçërisë dhe krimit. E të cilët më së miri e dinë si mund t’i zhvatësh shqiptarët dhe si mund të mbash të heshtur dhe anësh ndershmërinë dhe mençurinë shqiptare. Pra si mund të vazhdosh ndërtimin dhe drejtimin e shtetit sipas formulës se sa më i ulët është morali dhe dinjiteti i shqiptarët, aq më lartë atë duhet ta ngjitësh në piramidën shtetërore.
Më duket e pamundur të ketë në Maqedoni ndonjë shqiptar të moshës madhore që nuk e dinë se drejtuesve komunal të BDI-së u lejohet të kenë grupin e vetë të rrugaçëve e kriminelëve muskulorë, me ndihmën e të cilëve ata do i plaçkitin dhe do i mbajnë të heshtur bashkëkombësit e tyre. Pra që nuk e dinë se shoqëria shqiptare në Maqedoni që moti është zhytur dhe kalbet në baltën e kriminalizimit të saj të plotë, ku as që mund të bësh karrierë profesionale e le më politike, pa mbështetjen e grupeve kriminale, por që nuk i pengon askujt, sepse kështu e do ‘interesi shtetëror’.
Është e pamundur të ketë në Maqedoni ndonjë shqiptar që ende e ka të paqartë pse Kryeministri i sotëm i vendit aq u angazhua në zgjedhjet e fundit vendore që BDI-ja të mos e humb sundimin mbi komunat shqiptare. Pra të mos e ketë kuptuar se këtë e bëri pse e dinte se kush e kontrollon rrugaçërinë dhe krimin shqiptarë, dhe se kështu edhe ai do bëhej bashkë shfrytëzues i kësaj rrugaçërie dhe i këtij krimi.
S’është për ta besuar se në Maqedoni ka ndonjë qytetarë që nuk e dinë se ky vend është atdhe i rrugaçërisë dhe nëntokës politike dhe se, institucionet shtetërore shërbejnë vetëm si mbulesë për kriminelët e rrugaçët që u shërbejnë politikanëve. Pra, nuk është për ta besuar se në Maqedoni ka ndonjë qytetarë të moshës madhore që nuk e ka kuptuar se ky shtet është varrezë masive e ndershmërisë dhe vlerave personale.
Dhe jo vetëm kaq, por nuk besoj se në Maqedoni ka ndonjë të rritur që nuk e ka kuptuar sa e rrezikshme është të jetosh në këtë shtet, ku të gjithë flasin për ligjshmëri dhe drejtësi, por ku të dënon apo të nxjerrë nga burgu vetëm bandit partiak i lagjes tënde, e jo ligji dhe gjykatësi.
Më në fund, se si funksionojnë shtetet si Maqedonia, Kosova e Shqipëria, më së miri e shpjegon rrënimi i restoranit ‘Panorama’ në Porto Palermo, i cili do mund të punonte deri në fund të sundimit të ‘Rilindjes’, po qe se pronari i tij nuk do i terrorizonte turistët spanjoll. Rast që shpalosë të vërtetën se në këto vende, kriminelët dhe të jashtëligjshmit nuk e pësojnë atëherë kur e shkelin dhe pse e shkelin ligjin, por kur i rrezikojnë karrierat e patronëve të tyre politik, kur e shpalosin sekretin si funksionon drejtësi nëpër këto banane shtetet, në këto vende ku institucionet shtetërore nuk kanë për qëllim zbatimin e ligjit, por mbulesën e rrugaçërisë dhe nëntokës kriminale politike.