Në ditën kur në Kuvend po bisedohej për ndryshimet në Ligjin e Veteranëve, të pranishëm si mysafirë të seancës ishin edhe drejtues të Shoqatës së Veteranëve.
Jo të gjithë po pajtoheshin me ndryshimet që parashiheshin me ndryshimet e Ligjit, që kryesisht kishte të bëjë me kategorizimin e pagave të veteranëve të UÇK-së. Kundër këtyre ndryshimeve ishte deklaruar deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, të cilës ia kishte ndërprerë fjalimin nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve, Nasim Haradinaj.
Madje, ai e kishte ofenduar rëndë deputeten, duke i thënë “Ule at gisht se ta shti në gojë”.
Ndërsa, deputetja Dërguti kishte deklaruar se Haradinaj nuk përfaqësonte interesat e veteranëve, por interesat e tij personale.
Ai nuk ishte ndalur me kaq. Pas disa ditëve, ai kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, në të cilin kishte krahasuar punën e deputetëve me lopët e tij, shkruan Periskopi.
“Deputete #Aida Derguti !Me që se mê keni kërkuarë llogari se pse e kemi qitë kollarën; ja po të tregojë. Ketë lopën e parë ne foto që po e shefë, e kam shitë dhe e kam ble kollarën dhe nje zingjir ari si ti që e patët varë në qafë, e po ja qitëshe shallin përmbi ! E keqja është,se une mbeta pa këtë të uruarë dhe prap se prapë nuk mund e shita,sa një pagë të juajën si deputete në parlamentë qe jeni, Po të kisha pagën tuj vetëm te një muaji që merni mbi 2000 €, do kisha ble dy lopë të tilla dhe më kishin mbetë lekët edhe për një rryp të ri…!!”, kishte shkruar ai.
Por, e vërteta del të jetë krejt ndryshe. Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, rezulton se Haradinaj ka një shtëpi në vlerë prej 200 mijë euro, ndërsa vlera e tokës së tij që e ka blerë në vitin 2006, sipas deklarimit në AKK, arrin shifrat e 3 milionë e 700 mijë eurove. Ai po ashtu, kishte deklaruar edhe 75 mijë euro vlerë të tokës bujqësore të trashëguar.
Ai i kishte bërë këto deklarime gjatë vitit 2015, si zyrtar i Komunës së Deçanit.