Edhe pse shumë komuna rurale në Maqedoni kanë shtëpi të kulturës, Komuna e Studeniçanit nuk e ka një të tillë. Mungesën dhe nevojën shumë të madhe për shtëpinë e kulturës në Komunën e Studeniçanit e ndjejnë sidomos shoqëritë kulturo artistike, apo edhe organizatat joqeveritare. Në mungesë të këtij objekti, aktivitet e tyre detyrimisht i realizojnë në objekte private, restorante, si dhe në objektet të cilat i marrin me qira.
Ky problem e vështirëson punën e tyre dhe u kushton shumë, ngase ata përveç se duhet të merren me aktivitetet, duhet detyrimisht të humbin kohë edhe në gjetjen e një vendi të përshtatshëm se ku duhet t’i realizojnë ato. Nga Komuna e Studeniçanit thonë se ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës tani për tani nuk është në plan, për shkak se prioritet ka ndërtimi i infrastrukturës primare.
“Ne si komunë pikë së pari i shohim gjërat në bazë të nevojat më primare të qytetarëve, pasi po ballafaqohemi me mungesë të infrastrukturës, kanalizimit dhe shumë gjërave tjera të patjetërsueshme. Deri tani janë bërë afër 70% e këtyre projekteve dhe kanë ngelur 30 % për t’i përfunduar këto projekte. Është e vërtet se kemi nevojë për pallat kulturor, por së pari kemi mungesa të tjera siç i përmendëm, ndër to edhe shkolla e mesme, që tani është në planë për t’u realizuar. Gjithashtu vlen të potencohet se ne jemi komunë opozitare, me mjete jemi shumë të kufizuara dhe buxhetin e kemi shumë të vogël, ndërkaq këto projekte që i realizojmë janë nga IPA fondet, nga Bankat Botërore dhe vazhdimisht jemi duke kërkuar mjete nga shoqata dhe fonde të ndryshme prej jashtë vendit për të përmbushur nevojat e infrastrukturës elementare”, thotë Sedat Rushidi, zëdhënës i Komunës së Studeniçanit.
Në Komunën e Studeniçanit me mbi 25 mijë banorë, ende nuk ekziston asnjë institucion kulturor, thotë etnologu nga kjo anë, Afet Jashari. “Edhe pse Ligji për kulturë i obligon komunat që të ngrisin iniciativa për themelimin e institucioneve kulturore, qoftë muze, teatro, biblioteka dhe të tjera, mirëpo deri më tani Komuna dhe Këshilli komunal në këto 5 mandate ose 20 vite sa ekziston Komuna e Studeniçanit, nuk ka patur asnjë iniciativë të tillë. Si rrjedhojë e kësaj, ka ngecje në këtë drejtim dhe ndjehet tej mase mungesa e shtëpisë apo pallatit të kulturës”, thekson etnologu Jashari.
Shoqatat kulturore dhe ato qytetare janë ato që më së shumti e ndjejnë mungesën e Shtëpisë së kulturës. Shoqata kulturore AKSI aktivitete e saja i realizon në objekt me qira, të cilin e paguan me paratë e mbledhura nga anëtarësia. “Në Komunën e Studeniçanit është shumë e nevojshme një shtëpi e kulturës dhe jo vetëm neve do të na e lehtësonte punën, por gjithashtu edhe në përgjithësi banorëve të Komunës së Studeniçanit. Si shoqatë qytetare kemi apeluar dhe sugjeruar jo vetëm në komunën e Studeniçanit, por në te gjitha komunat rurale në vendbanimet ku ka mbi 10 mijë banorë, të ngriten iniciativa të këtilla pasi që është në interes dhe dobi të qytetarëve. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhë dhe për këtë arsye komunat rurale ku shqiptarët janë shumicë nuk mund t’i thithin bllok donacionet e buxhetit për Kulturë që ndanë Ministria e Kulturës”, thotë Vedat Xhaferi, zëdhënës i shoqatës kulturore AKSI. Në mungesë të shtëpisë së kulturës, edhe organizatat joqeveritare aktivitet i realizojnë në objekte të huazuara. “Tribunat apo aktivitet tjera i realizojmë në restorante dhe objektin privat që e kemi me qira. Gjithashtu e shfrytëzojmë edhe sallën sportive të shkollës fillore ‘Naim Frashëri’ në shumicën e aktiviteteve, ndërsa shtëpia e kulturorës është mjaftë e nevojshme për shkak se do të kishim një vend ku do t’i realizojmë aktivitetet, qofshin fetare-kulturore apo artistike”, thotë Bujamin Memedi nga dega e Forumit Rinor Islam në Studeniçan.