Koalicionet e degëve, kandidatëve për kryetarë komunash dhe strukturave lokale të Lëvizjes BESA, Aleancës për shqiptarët dhe PDSH-së, kanë tmerruar BDI-në e Ali Ahmetit. Pas deklaratës së kandidatëve të tre partive nga komuna e Sarajit, sot edhe kandidatët nga Çairi në emisionin “Studio e hapur” paralajmëruan publikisht se do ta mbështesin cilindoqoftë nga tre kandidatët që do të përballet me BDI-në në rreth të dytë. Ndërkohë, jozyrtarisht edhe strukturat lokale në komuna të tjera të dominuara me shqiptar kanë bërë marrëveshje të ngjashme, por që nuk janë bërë publike për shkaqe objektive. Por këto lajme të hidhura për BDI-në kanë arritur deri tek kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, i cili ka mbledhur kryesinë qendrore për të diskutuar situatën. Në këtë mbledhje siç mësohet nga burime brenda BDI-së, janë analizuar edhe anketa dhe hulumtime të cilat dëshmojnë se në rreth të dytë kandidatët e BDI-së humbin në shumicën absolute të komunave.