Koalicioni qeverisës, PDK – LDK, mund të mos mbijetojë deri në fund të mandatit të tij, rrjedhimisht deri në vitin 2018, sado që drejtues të dy partive thonë se kanë lidhur marrëveshje të fortë partneriteti.
Të dyja partitë thonë se do t’i bëjnë ballë edhe dy sfidave më të mëdha me të cilat po përballet vendi – Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sado që për të dyja çështjet vetë koalicioni qeverisës thuhet ë ketë probleme në arritjen e votave për miratim, së bashku me partitë e komuniteteve, bëhet se të dyja partitë po mundohen të mbijetojnë me zor.
Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) koalicioni nuk ka çarje dhe se bashkëpunimi është i duhuri.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike dhe partive të tjera është i qëndrueshëm.
“Si koalicion qeveritar jemi shumë stabil. Besoj se jemi një burim i stabiliteti në rrethanat në të cilat i kemi kaluar. Ajo çka na mungon sot çka duhet fuqimisht të bëjmë është përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha Veseli.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, njëherësh sekretar i përgjithshëm i LDK-së, tha se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë dhe do të vazhdojë të qeverisë vendin deri në fund të mandatit.
“Nuk mund të them se ka çarje ose mosmarrëveshje. Nuk ka diçka të tillë. Sa i takon mendimeve dhe qëndrimeve janë mendime individuale për çështjet e caktuara. Qëndrimet e forumeve të partisë, të LDK-së, janë të qarta dhe janë ato që janë deri me tani dhe në këtë drejtim nuk ka ndonjë risi. Besoj se do të vazhdojë puna”, tha Beqiri për Radion Evropa e Lirë.
Me parë zyrtarë, deputetë të caktuar të LDK-së, e në disa raste edhe të atyre të PDK-së, kanë parashikuar prishjen e koalicionit për shkak të mungesës së unitetit për ratifikimin e Demarkacionit.