Analisti Melazim Koci ka thënë se nëse zgjedhjet presidenciale në Amerikë i fiton Donald Trump, do të vështirësohet komunikimi i Kosovës me SHBA-në.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë se me fituesin e ri të zgjedhjeve, do të fillojë një epokë tjetër e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
“Nëse fiton z.Trump, mendoj se marrëveshja franko-gjermane ka vdekur. Ai nuk do ta përfillë atë. Mendoj se marrëveshja franko-gjermane do të hiqet nga tavolina, tani çfarë mund të sjellë ai në mënyrë të njëanshme pa koordinim, këtu vetëm mund të spekuloj, nuk mund ta di. Por, një gjë është evidente, me largimin e z.Biden nga Shtëpia e Bardhë ka përfunduar një epokë e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Doza e notave personale, të ndërlidhjes personale me Kosovën përfundon. Nga momenti që fiton, ta zëmë, z.Trump, mendoj se udhëheqja e Kosovës do ta ketë më të vështirë komunikimin me Uashingtonin sesa deri më tani. Fillon një epokë tjetër”, ka thënë ai.