Kokëdhima me emigrantët në Greqi: Shqiptarët dhe grekët nuk i duan sharlatanët e politikës

Ish- deputeti socialist Koço Kokëdhima, ne nje takim me emigrantet shqiptare ne Greqi,  tha se Shqiptarët dhe grekët nuk i duan dhe nuk i pëlqejnë axhaminjtë dhe profanët, të papërgjegjëshmit dhe sharlatanët e politikës që i tregojnë muskujt njëri-tjetrit.

Duke iu drejtuar atyre, Kokedhima tha se, emigracioni shqiptar në Greqi, është ndër më të shquarit e më të rëndësishmit, jo vetëm numerikisht. Ju punuat si kërkush tjetër, u përfshitë në të gjithë sektorët, në qytete e në fshatra, përvetësuat gjuhën, kulturën dhe zakonët e mira të popullit grek, zhvilluat e shpalosët shpirtin tuaj punëtor, talentin dhe natyrën tuaj sipërmarrëse, begatuat tregun e punës, i dhatë një zhvillim të rëndësishëm bujqësisë, ndërtimit, turizmit, depozituat kursimet tuaja të rëndësishme në bankat greke, bletë shumë shtëpia e prona të patundëshme dhe prodhuat të mira e pasuri të mëdha për Greqinë dhe për familjet tuaja këtu dhe në Shqipëri”.

E merituat plotësisht që të jeni ambasadorë të Shqipërisë dhe qytetarë të nderuar të këtij vendi që na hapi dyert e mikpritjes dhe na ndihmoi në një nga momentet më të vështira të historisë tonë, pikërisht në periudhën kur dolëm nga izolimi komunist dhe nga anarkia e mëpasme. Populli ynë do u mbetet gjithmonë mirënjohës dhe falenderues popullit, shtetit dhe qeverive të Greqisë, për këtë mbështetje të madhe e vëllazërore, u shpreh Kokedhima.

Kokedhima u ndal edhe tek maredheniet Shqiperi Greqi dhe  retorika nacionaliste e koheve te fundit mes dy vendeve.

“Fakti që ju e keni Greqinë atdheun tuaj të dytë dhe e vërteta e marrëdhënieve tradicionale të miqësisë mes popujve tanë, gjërat e shumta që na bashkojnë, historia e përbashkët si dy popujt dhe dy kulturat më të hershëm të Ballkanit, që kanë bashkëjetuar në paqe e harmoni me njëri-tjetrin, i bëjnë krejtësisht të papranueshme qëndrimet e cekëta dhe sjelljet provokative të politikanëve të veçantë, të cilët, në vend që të punojnë me urtësi e në rrugë diplomatike, prodhojnë një retorikë nacionaliste krejtësisht të pashëndetshme dhe tensionuese në marrëdhëniet tona ndërshtetërore, tha Kokedhima.

Per Kokedhimen, zyrtarët e lartë nuk mund ta heqin Ligjin e Luftës duke replikuar në Tuiter e Facebook, ashtu siç nuk mund të mbahet në këmbë një “gjendje lufte” mes vendeve tona, pavarësisht qëndrimeve apo interesave të caktuara politike të kujtdo qofshin ato. Këto e çështje të tjera, që nuk kanë arritur ende dakortësinë e palëve, duhet të zgjidhen gjithmonë në favor të forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit, duke respektuar interesat e seicilit prej vendeve tona. Qëndrimet amatoreske të politikanëve ju shkaktojnë vuajtje dhe dëme të pamerituara emigrantëve tanë.

Shqiptarët dhe grekët nuk i duan dhe nuk i pëlqejnë axhaminjtë dhe profanët, të papërgjegjëshmit dhe sharlatanët e politikës që i tregojnë muskujt njëri-tjetrit. Ata kërkojnë politika të urta, të mençura dhe efiçente, që shfrytëzojnë tërësinë e mundësive diplomatike e institucionale, në kuadër të BE-së, me qëllim që të zgjidhen çështjet e pazgjidhura dhe t’u bëhet më e lehtë jeta njerëzve tanë, tha Kokedhima.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu