Komediani gjerman fyen shqiptarët në Cyrih

“Zvicra është e mrekullueshme. Gjithçka është më mirë këtu (sesa në Gjermani) – vetëm një gjë është më e keqe: keni më shumë shqiptarë”

Oliver Pocher është një komedian i njohur nga televizionet gjermane. Ai pra është i popullarizuar edhe në Zvicër, ku ndiqen emisionet e tij, shkruan albinfo.ch. Tani ai, me turneun “Liebeskasper” po qëndron në Cyrih, gjegjësisht në Volkshaus, ku ka dhënë programin e tij mbrëmë dhe sonte (e enjte).

Por, Pocher kësaj radhe, krahas humorit “normal”, ka rënë në sy edhe për një gjë tjetër: për fyerjen e komunitetit shqiptar. Ja çfarë ka thënë ai, veç tjerash: “Në përgjithësi, Zvicra është e mrekullueshme. Gjithçka është më mirë këtu – vetëm një gjë është më e keqe: keni më shumë shqiptarë”, është shprehur ai. Dhe ka vazhduar me të njëjtin avaz: “Disa janë ndoshta këtu, në Volkshaus, në këtë mbrëmje, por të tjerët thjesht janë “duke thyer makina”, shkruan blick.ch dhe 20minuten.ch.

Komediani më pas ka hapur një seancë pyetje-përgjigje. Një e re shqiptare, e pranishme në sallë, me këtë rast e ka pyetur: “Si mund të ndryshohet qëndrimi juaj ndaj shqiptarëve në Zvicër?” Për të cilën Pocher u përgjigj: “I dua shqiptarët. Por, në Shqipëri”.

Sigurisht që asnjë nga këto nuk është menduar seriozisht, ka siguruar publikun më tej aktori i humorit, transmeton albinfo.ch. “Ne po luajmë me klishe këtu”, ka thënë ai – dhe ka pasuar me thumbimin e tij: “Klishe që janë të vërteta”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu