Gjendja me barazinë gjinore në vend mbetet vetëm angazhim deklarues i autoriteteve, vlerësojnë nga Komiteti i Helsinkut me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Në kumtesën e dërguar me rastin e 8 Marsit theksohet se gratë në Maqedoni ende ballafaqohen me diskriminim në bazë gjinore në të gjitha proceset shoqërore, pa pasur mbrojtjen e të drejtave të tyre. Mes grupeve më të prekura theksohen punëtoret e tekstilit, gratë nga mjediset rurale, gratë rome, gratë viktima të dhunës dhe gratë me aftësi të kufizuara.
Sipas Komitetit të Helsinkut, ratifikimi i Konventës të Këshillit të Evropës për parandalimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare e njohur si Konventa e Stambollit është hapi më i rëndësishëm që Qeveria e ka bërë në luftën kundër dhunës ndaj grave.
Të dhënat statistikore tregojnë se 78 për qind e viktimave të dhunës fizike janë gra, ndërsa 98 për qind e dhunuesve në dhunën familjare janë burra.