Komunat kërkuan 200 milion euro, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të ndajë vetëm 100 milionë euro

Pavarësisht se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të ndajë 100 milionë euro për financimin e projekteve infrastrukturore, komunat kanë aplikuar me projekte me vlerë totale rreth 200 milionë euro. Madje, sipas të dhënave që ka siguruar Alsat, vetëm Qyteti i Shkupit, i cili kryeson listën si për nga shuma e parave ashtu edhe për nga numri i projekteve, i vetëm kërkon rreth 102 milionë euro, më shumë se sa gjithë thirrja e ministrisë.

Komuna e Tetovës, e cila ndonëse ka aplikuar me vetëm 3 projekte kap shifrën e mbi 6 milionë eurove. Pastaj vjen Komuna e Manastirit e cila për 16 projekte kërkon 4,5 milionë euro, Kumanova me 3 projekte për 4 milionë euro, ndërsa Çairi me 7 projekte për 3.8 milionë euro.
Në thirrjen publike kanë aplikuar 80 komuna, por projektet e tyre kanë shuma modeste, siç mund të shihet në këtë tabelë.

Përveç Tearcës, e cila për shkak të mosdorëzimit të dokumenteve në kohë ka dështuar të aplikojë, Komuna e Zërnovcit ka kërkuar vetëm 90 mijë euro për 2 projekte, Llozova 100 mijë euro për 3 projekte, ndërsa Vevçani 110 mijë euro për 3 projekte. Në listë janë edhe komunat Mavrovë-e-Rostushë, Konçe dhe Novac, të cilat kërkojnë nga 120 mijë euro për 3 projekte.

Në përgjithësi, komunat me shumicë shqiptare kërkojnë në total rreth 26 milionë euro për 70 projektet e tyre.

Tetova, siç mund të shihet, kryeson listën për nga shuma e parave që kërkon për të realizuar projektet, e ndjekur Çairi. Më pas, radhitet Gostivari, i cili për 15 projekte kërkon rreth 2,8 milionë euro, ndërkaq Saraji për 2 projekte 2,4 milionë euro. Struga, për 1 projekt kërkon 2,2 milionë euro, Kërçova për 7 projekte 1,9 milionë euro. Lista, më tej vijon me Vrapçishtin, i cili kërkon 1,3 milionë euro për 5 projekte, ndërsa Likova rreth 1 milion euro për 3 projekte.

Dibra, Haraçina, Zhelina, Studeniçani dhe Bogovina kërkojnë më pak se 1 milionë euro për projektet që kanë aplikuar.

Për nga karakteri i projekteve, Alsat informoi se shumica e tyre janë për rrugë, kanalizim dhe ujësjellës – problemet kryesore të qytetarëve. Vetëm Qyteti i Shkupit, me projektet e veta, ka dalë nga karakteri i thirrjes së Ministrisë për projekte infrastrukturore, duke kërkuar autobusë ekologjikë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu