Investimet në arsim dhe theks në arsimin e mesëm janë një prej pikave kryesore që përmban Strategjia për zhvillimin e Çairit – Kontrata 2017-2021 që kandidati për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, do të realizojë në sferën e arsimit gjatë mandatit katërvjeçar. Në megaprojektin që përbëhet nga gjithsej 11 shtylla kryesore, Arsimi, që përfshin çerdhet, kopshtet e shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm, zë një vend të posaçëm në listën e prioritete për kandidatin Ganiu.
Shkolla e mesme “Cvetan Dimov” është objekti i cili në të cilin investimet parashikohen të përfshijnë transformime në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të shkollës, duke e shndërruar këtë institucion të arsimit të mesëm në një shkollë me kushte bashkëkohore për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Kontrata parashikon ndërtimin e një biblioteke dhe salle leximi, me hapësira të gjera për të plotësuar kërkesat e nxënësve, me ndriçimin e duhur, ulëse dhe kënde komode për të lexuar dhe mësuar.
Po ashtu në këtë shkollë Kontrata parashikon edhe ndërtimin e një salle sportive, të pajisur me të gjitha elementët e duhur dhe parametrat idealë për zhvillimin e procesit të edukimit sportiv. Edhe ambientet e jashtme të shkollës do të jenë pjesë e transformimeve. Krijimi i këndeve të pushimit, gjelbërimi, ndriçimi dhe sistemimi në tërësi i pjesës së jashtme janë pjesë e projektit për këtë shkollë. Kostoja financiare për realizimin e gjithë këtyre ndryshime planifikohet të jetë rreth 67 milionë denarë.
Sipas Kontratës, sigurimi i kushteve optimale për mbarëvajtjen e procesit edukativo- arsimor konsiderohet si një domosdoshmëri për edukimin e gjeneratave të reja që janë shtylla e shoqërisë.
“Edukimi i gjeneratave të ardhshme është shtylla e një shoqërie. Sigurimi i kushteve cilësore për mirëmbajtjen e mësimit dhe edukimit të gjeneratave të reja kontribuon drejt një arsimi më cilësor”, shkruhet në Kontratë, në kapitullin për arsimin.
Investimet në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” janë vetëm një pjesë e projekteve përmirësimin e kushte në institucionet e arsimit, për ngritjen e qendrave kulturore – sportive, të cilat parashikohen të ndërtohen, adaptohen dhe rikonstruktohen në shumë lagje të zonës.