Rikonstruktimi i fasadave të 141 banesave dhe veshja e tyre me materiale termoizoluese është një prej 11 shtyllave me të cilat çelet Strategjia për zhvillimin e Çairit – Kontrata 2017-2021, të cilën kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu, ia ka prezantuar banorëve të zonës.
Efikasiteti energjetik përfshin rikonstruktimin e godinave të banimit, përkatësisht fasadave dhe çative në gjithsej 18 rrugët e pesë zonave Mavrovasja; Ndërtesa komunale dhe Çairi i Vjetër; bulevardi Cvetan Dimov, Dyqanxhik, Kulla e Sahatit; Fushë Topanë.
Intervenimet në këto objekte banimi kanë si qëllim që jo vetëm të ndryshojnë estetikisht pamjen e tyre të jashtme përmes rikonstruktimit të fasadave, por edhe për të siguruar jetesë komode në to në të gjitha stinët dhe mbi të gjitha reduktimin në maksimum të faturave të energjisë elektrike dhe të ndotësve të ajrit, si edhe kursimin e energjisë elektrike.
Kjo është arsyeja që ky kapitull është renditur i pari në dokumentin për Strategjinë e zhvillimit të komunës. Po ashtu edhe nga kostoja financiare nisma për rregullimin e fasadave renditet e dyta në listën e prioriteteve për zhvillimin e komunës, me një buxhet mbi 930 milionë denarë.
“Ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit jetësor, si edhe ndërtimi i objekteve energjetike efikase në një komunë siguron jetë më cilësore dhe me më pak shpenzime për qytetarët. Në kuadër të këtij program parashikohet rikonstruktimi i fasadave dhe kulmeve të objekteve ekzistuese të banimit me qëllim që të sigurohet izolim sa më cilësor i objekteve dhe rritja e efikasitetit energjetik të tyre. Intervenimet do të kryhen në pesë zona përgjatë bulevardeve “Kërste Petkov Misirkov”, “Cvetan Dimov”, “Xhon Kenedi”, “Brigada Maqedonase Kosovare e të tjera”, – shkruhet në Strategjinë për zhvillimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme. Me këtë program parashikohet rikonstruktimi i fasadave dhe kulmeve të gjithsej 141 godinave të banimit me çka do të bëhet një hap i madh drejt rritjes globale të energjisë efikase në komunë”, shkruhet në kapitullin e parë të Kontratës – Efikasiteti energjetik. Kontrata 2017-2021 përbëhet nga gjithsej 11 shtylla për zhvillimin e zonës, ndërsa buxheti i parashikuar për përmirësimin e kushteve dhe të një jete më të mirë është mbi katër miliardë denarë.