Bulevardi Nikolla Karev, e njohur si “Rruga e plastikave” është pjesë e një projekti për ristrukturimin e saj në një aks rrugor modern me shtrije më të gjatë, por edhe me një korsi shtesë për qarkullimin e automjeteve.
Kontrata e kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu parashikon zgjerim të këtij bulevardi, njëlloj si edhe për rrugën Cvetan Dimov. Ky projekt është pjesë e një marrëveshje mes kreut të sapozgjedhur të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, si edhe kandidatit për kryetar të komunës së Çairit, Visar Ganiu për të ndërtuar një bulevard që do të ketë një shtrirje më të gjatë dhe që tejkalon kufijtë komunave. Bëhet fjalë për bulevardin që do të nisë nga lagjja e Shutkës, përkatësisht nga rruga Brigada Kosovare Maqedonase dhe do të kalojë nëpër Rrugën e Plastikeve.
Qëllimi i këtij projekti është lehtësimi i komunikacionit rrugor, zgjerimi i korsive në këto akse dhe akses më i sigurt i këmbësorëve dhe automjeteve në këto zona dhe sistemi bashkëkohor i infrastrukturës rrugore, sipas të gjitha parametrave. Ky projekt është një tjetër iniciativë që i shtohet programit për zhvillimin e komunës, Kontratës 2017-2021, të hartuar nga Visar Ganiu, ku ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rrugëve, trotuareve dhe objekteve të tjera rrugore janë ndër shtyllat prioritare ku do të bazohet strategjia për zhvillimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme.