Kosova akuzon Serbinë për plane aneksimi, Beogradi mohon

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të enjten Serbinë për përpjekje të aneksimit të veriut të Kosovës në një plan “të stilit të Krimesë”, siç veproi presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2014, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia nuk kishte asnjë synim për të sulmuar këdo qoftë në rajon.

Tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës arritën një shkallë të pashembullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës pas ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe bënë që NATO-ja të vendos shtimin e forcave paqeruajtëse në terren.

Çështja u diskutua përgjatë punimeve të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës. Presidentja Osmani i cilësoi veprimet e Serbisë si “të dala nga libri i (Vladimir) Putinit i vitit 2014”.

“Edhe gati 25 vjet pas luftës (në Kosovë), e njëjta mendësi ekziston në Serbi, e cila është të rrëmbejë territore të të tjerëve”, theksoi ajo, duke bërë thirrje për garanci sigurie si dhe sanksione ndaj Serbisë pas “aktit të saj të agresionit”.

“Të gjithë duhet të punojmë së bashku për të përmbajtur, sanksionuar dhe për të penguar Serbinë që të kryej agresionin e ardhshëm kundër Kosovës, si dhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha presidentja Osmani.

Serbia ka mohuar akuzat e Kosovës se ka trajnuar dhe mbështetur grupin që kreu sulmin e 24 shtatorit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, mohoi sërish të enjten pohimet se Serbia ka grumbulluar forca shtesë të ushtrisë në kufirin me Kosovën, ndërsa konfirmoi se ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe ai i Bashkimit Evropian Emanuele Giaufret, u takuan të enjten në jug të Serbisë me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviç dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç për të parë nga afër situatën në kufirin ndërmjet të dyja vendeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu