Në Pasjan, në mesditë ka filluar protesta e serbëve lokalë të Anamoravës për shkak të arrestimit të pesë serbëve të shtunën në mëngjes, të dyshuar se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.
Disa mijëra serbë janë mbledhur në protestë, duke mbajtur pankarta “Po na arrestojnë për të dëbuar të gjithë serbët”, “Kërkojmë që KFOR-i të na mbrojë”, “Evropë, pse heshtni për vuajtjet e serbëve?”
Të pranishëm janë edhe familjarët e serbëve të arrestuar të cilët do t’i drejtohen turmës, transmeton Paparaci.
Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar, Dragan Niçiq, Sllobodan Jevtiq, Dragan Cvetkoviq dhe Milosh Shoshiq në Pasjan afër Gjilanit, ndërsa Nenad Stojanoviq është arrestuar në fshatin Boscë afër Kamenicës.
Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar një muaj paraburgim për të arrestuarit, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar ankesë kundër vendimit të gjykatës.