KQZ nuk komenton rezultatet e Exit Poll

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë të ditur se procesi i votimit ka shkuar në përgjithësi në rregull, ndërsa sipas të dhënave dalja e votuesve është 759.904 votues apo 41,45 për qind ose më pak se sa në zgjedhjet e 2014 kur kishin votuar 42.08 për qind.

Daka ka thanë se në bazë të dhënave nga qendrat e votimit në të gjitha komunat të Kosovës qendrat janë mbyllur me kohë dhe se procesi ka kaluar pa probleme të theksuara.

“Në bazë të dhënave nga qendrat e votimit në të gjitha Komunat të Kosovës, qendrat janë mbyllur me kohë dhe dalja e votuesve në zgjedhje është 759 mijë e 904 votues apo 41,45 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 8 qershor të vitit 2014, deri në këtë kohë kanë votuar 750 mijë e 112 votues apo 42.08 për qind të votuesve. Deri tani procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve përpos disa çështjeve në pjesën veriore të Kosovës”, tha Daka.

Sa i përket parregullsive zgjedhore në veri, ajo tha se ka pasur raste dhe që janë raportuar nga OSBE-ja.

“Ne nga OSBE që ka qenë prezentë në veri, kemi një raport në të cilin thuhet se kemi pasur diku rreth 50 raste të votimit të dyfishtë. Kjo është raportuar sidomos në shkollën “Jovan Svijic”, e cila ndodhet në Zubin Potok, ku kemi pasur tre raste të votimit të dyfishtë dhe të shkollës “Sfeti Sava”, në pjesën veriore, ku një grup i njerëzve më shumë se dhjetë kanë votuar disa herë në tre vendvotime”, tha Daka.

Ajo nuk ka dashur të komentojë rezultatet e Exit Pollit sipas të cilit koalicioni PAN prin me 40 për qind të votave, duke thënë se duhet pritur rezultatet pas numërimit.

Një çështje të cilën dëshiroj ta sqaroj për media, Binak Vishaj, anëtar i KQZ-së nga AAK-ja, ishte rasti i cili është raportuar gjatë gjithë kohës si i parregullt, që në të njëjtën kohë në KQZ, ka qenë e akredituar edhe një OJQ e themeluar nga ish- deputetja e VV-së, Shqipe Pantina.

“Një OJQ ka numër të madh të vëzhguesve, për të cilën u bë një nom i madh. Unë para vete e kam një OJQ, që bashkëthemeluese e saj është Shqipe Pantina, është kandidate e Vetëvendosjes për të cilën KQZ-ja e ka pasur të qartë se është në listë, por e ka akredituar për shkak se për ne ka qenë ligjore. Dhe nuk ka pasur asnjë arsye që mos ta akreditojmë. Sikurse që është ligjore ai instituti tjetër që e ka bërë kërkesë për akreditim. Andaj, mos të jenë të njëanshëm po t’i shohin problemet e të marrin anë”, tha Vishaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Adnan Rrustemaj , anëtar i KQZ-së, nga VV-ja, i cili ka thënë se do të ishte mirë që Vishaj këtë ta bënte të ditur në fillim të zgjedhjeve dhe të tregojë se kush qëndron prapa OJQ-së fiktive.

“Nuk bëhet fjalë këtu se kush është themeluesi. Kjo është e saktë edhe mund të jetë e saktë, por çështja e themelimit dhe largimit nga OJQ-ja nuk përcakton as fushëveprimin as kredibilitetin e as punën e vëzhguesve. Kjo paralele dhe kjo tendencë është në fakt një përpjekje për ta mbuluar një krim që ka ndodhur me akreditimin e një organizate vëzhguese në këtë rast fiktive”, tha Rrustemaj. /KosovaPress/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu