Kryeministri i Australisë Malcolm Turnbull ka paralajmëruar se politikanët qeveritarë dhe opozitarë që mbajnë fjalime demonizuese ndaj muslimanëve u ofrojnë avantazhe grupeve ekstremiste, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për Radion 3AW, ai tha se deputeti i partisë së tij George Christensen dhe liderja e Partisë “One Nation” (Një Komb), senatorja Pauline Hanson, po u japin avantazhe grupeve ekstremiste me deklaratat e tyre kundër muslimanëve.
Duke i cilësuar si “të dëmshme” deklaratat e Christensen dhe Hanson, Turnbull paralajmëroi se paraqitja e të gjithë muslimanëve si gogolë u jep material grupeve ekstremiste.
Kryeministri Turnbull theksoi se është e dëmshme dhe e gabuar të etiketohen të gjithë muslimanët për krimet që i kanë bërë vetëm disa persona.
“Të përpiqesh për t’i paraqitur të gjithë muslimanët si gogolë dhe të thuash se ata nuk janë ose nuk duhet të jenë pjesë e Australisë, është e ngjashme me ato që thuhen nga përkrahësit e ekstremizmit kundër komunitetit musliman”, tha Turnbull.
Ndryshe, Hanson, i cili njihet për diskursin e tij racist kundër muslimanëve, në fjalimin që kishte mbajtur në Senatin e Australisë, kërkoi të miratohet ndalimi i emigrimit, duke u shprehur se “ne jemi në rrezik për t’u përmbytur nga muslimanët, të cilët mbajnë një kulturë dhe ideologji që është në kundërshtim me tonën”.
Ndërkaq, deputeti i partisë qeveritare Liberal-Nacionale George Christensen i cili ka pikëpamje të njëjta me ato të Hanson, në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Përfaqësuesve, bëri thirrje që të kufizohet pranimi i refugjatëve nga vendet ku është e përhapur dhuna dhe ekstremizmi.
Ai tha se emigrantët e ardhur viteve të fundit nuk i mbartin “vlerat e Australisë”.
Kryeministri Turnbull theksoi se nuk pajtohet me mendimet e dy politikanëve. “Natyrisht, secili e di që unë nuk jam i mendimit të njëjtë me Hansonin lidhur me emigrimin. Australia është shoqëri më e suksesshme sa i përket multikulturalizmit dhe muslimanët e Australisë janë pjesë e këtij multikulturalizmi të suksesshëm”, tha kryeministri i Australisë Malcolm Turnbull.