Kryeministri spanjoll i kërkon ndihmë BE-së pasi vendi po vuan pasojat e përmbytjeve katastrofike

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ka kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar Spanjën të rimëkëmbet nga ajo që ai e quajti “përmbytjet më serioze që kontinenti ka parë deri më tani këtë shekull”.

Ne jemi në komunikim me Komisionin Evropian dhe kemi filluar procedurat për të kërkuar ndihmë nga Fondi Evropian i Solidaritetit dhe për përdorimin e burimeve të tjera mbështetëse të komunitetit nga Bashkimi Evropian”, tha Sanchez gjatë një konference për shtyp në Madrid.

Bëhet e ditur se përmbytjet shkatërruese deri më tani kanë marrë jetën e 211 personave.

Qeveria e tij pritet të miratojë një ‘gjendje katastrofe’ e cila do të lejojë qasje të shpejtë në ndihmën financiare, shkruan euronews.

“E di që ka probleme dhe mungesa të rënda, se ka ende njerëz të dëshpëruar që kërkojnë të afërmit e tyre, njerëz që nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre, shtëpi të shkatërruara dhe të varrosura nga balta”, tha Sanchez.

Qeveria spanjolle është goditur gjithashtu nga disa ligjvënës të opozitës dhe publiku, pasi ata besojnë se qeveria qendrore nuk i paralajmëroi njerëzit në kohë.

Sanchez iu drejtua drejtpërdrejt kritikës që mori në fjalimin e tij dhe pranoi se përgjigja e qeverisë dështoi, por tha se do të ketë kohë për të analizuar neglizhencën dhe për të reflektuar se si të përmirësohet.

Ndryshe, kryeministri spanjoll konfirmoi se 10,000 trupa shtesë do të dislokohen në provincën lindore më të goditur të Valencias, ku dëmet nga stuhia i ngjanin atij të një cunami.

Gjithashtu, 5,000 ushtarë dhe 5,000 policë do të bashkohen me 2,000 ushtarë, 2,500 xhandarë të Gardës Civile dhe 1,800 oficerë policie që janë tashmë aktualisht në rajon.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin e tyre për personat e zhdukur, pasi zyrtarët kanë frikë se më shumë trupa mund të bllokohen në automjete të shkatërruara dhe garazhe të përmbytura.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu