Kryeprokurori special i Malit të Zi ka thënë se “nacionalistët nga Rusia” ishin pas përpjekjes për të vrarë kryeministrin dhe për të kryer grusht shtet.
Milivoje Katniq tha se komploti për vrasjen e kryeministrit properëndimor, Milo Gjukanoviq, ishte menduar të kryhej në mënyrë profesionale me një snajper në distancë, njofton BBC.
Komplotistët janë akuzuar se kanë planifikuar rrëzimin e qeverisë, për të sjellë në pushtet një qeveri pro-ruse, transmeton KosovaPress.
Nuk ka asnjë dëshmi është përfshirë shteti rus.
Rreth 20 persona u arrestuan ditën e zgjedhjeve të Malit të Zi më 16 tetor dhe u identifikuan fillimisht si paraushtarakë serbë. Komploti thuhet se përfshinte vrasjen e Gjukanoviqit.
“Ne nuk kemi ndonjë dëshmi se shteti i Rusisë është i përfshirë… por, ne kemi prova se dy nacionalistë nga Rusia ishin organizatorët”, tha Katniq.
Ai shtoi se homologu i tij në Serbi i ka këta njerëz “nën mbikëqyrje”.
“Ata persona nuk janë më në territorin e Serbisë. Unë nuk e di se ku janë tani, në Rusi apo diku tjetër”, tha ai.
Pas arrestimit masiv në tetor, Gjukanoviq tha se rreth 125 mijë euro ishin gjetur si pjesë e komplotit të dyshuar, së bashku me uniforma.
Që nga ndarja me Serbinë në vitin 2006, Mali i Zi ka krijuar lidhje të ngushta me BE-në dhe NATO-n, dy prej të cilave ai synon t’u bashkohet.