Kryetarët e komunave në ditën e fundit në punë, Xhaferi: Zgjedhjet në gjysmën e parë të tetorit

Sot për herë të fundit do të paraqiten  në punë kryetarët e komunave. Ata ende nuk e dinë nëse do të ketë vazhdim të mandatit të tyre deri në organizimin e zgjedhjeve lokale. Pas tentativës së dështuar të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale që gjykata kushtetuese të shfuqizojë 2 nene të ligjit për vetëqeverisje lokale, me çka do të mundësohej zgjatje e mandatit të kryetarëve të komunave, tani Krye parlamentari Talat Xhaferi po mundohet të gjejë një zgjidhje. Për këtë qëllim ai, qysh nga java  e kaluar pati paralajmëruar se për të hënën ka thirrur një takim me përfaqësuesit e partive politike.

Por pavarësisht kësaj, ky takim u mbajt të shtunën, ndërsa pas takimit asnjë nga palët që ishin pjesë e tij, nuk deshën të komentojnë rreth temës së takimit. E më pas nga selitë e partive njoftuan se janë takuar për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjet lokale, ndërsa takimi do të vazhdojë edhe sot. Për dallim nga dita e shtunë, kur në takim mori pjesë edhe anëtari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, sot nga kjo parti dolën me kumtesë ku thuhet se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i kuvendit. Gjithsesi, anëtari tjetër i kësaj partie, Antonio Milloshoski dje njoftoi mediat se do të mbështesin organizimin e zgjedhjeve lokale, nëse një gjë të tillë propozon shumica parlamentare.

Njohësit e  politikës theksojnë se duhet që patjetër të gjendjet një zgjedhje për situatën në komuna. Politikologu Xhenis Sulimani për InfoShqip thekson se udhëheqësit politik duhet sa më shpejtë të gjejnë një zgjidhje, në të kundërtën do të ketë kaos në komuna, ndërsa një dështim i radhës do ti kushtonte shumë Maqedonisë.

“Unë nuk mendoj se Maqedoninë mund ta përcjellë ndonjë krizë tjetër e radhës. Jam optimist se partitë politike do te jenë në nivel të përgjegjësisë dhe do ta gjejnë gjuhë të përbashkët rreth organizimit të zgjedhjeve lokale, sepse një dështim i radhës do t’i kushtojë shumë Maqedonisë. Populli është lodhur me kaos, është koha për rend. Jam i bindur se çdo papërgjegjësi e politikanëve në këtë kohë do të dënohet ashpër nga populli.”- thekson Xhenis Sulimani për InfoShqip.

Pas takimit të sotëm në mes të partive politike parlamentare dhe kryetarit të Kuvendit, ky i fundit propozoi që partitë parlamentare, kanë arritur marrëveshje se prioritet kyç për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratim të Propozim-ligjit për ndryshim dhe plotësim të Kodit zgjedhor, me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashikohet për gjysmën e parë të tetorit, ndërsa mandati i kryetarëve të deritanishëm të komunave dhe i këshilltarëve të vazhdohet deri në në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave./ InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu