KSHZ nesër do t’i ndajë çertifikatat për deputetët e rinj

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të mërkurën do të ndajë çertifkatat për deputetët e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë nga KSHZ, këtë herë çertifikatat do t’u dorëzohen përfaqësuesve të deleguar të partive politike, ndryshe nga përvoja e deritanishme, secilit deputet veç e veç.

Në zgjedhjet parlamentare 2016 mandate deputetësh kanë fituar partitë VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, BESA, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët.

Ndërkohë siç paralajmërohet, konstituimi i Parlamentit do të bëhet brenda kësaj jave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e njëjta të mbahet të shtunën më 31 dhjetor.

Ndryshe, nga praktika e deritanishme, ndryshimet e fundit në Rregulloren për punë të Parlamentit kanë bërë që seancën e parë konstituive ta konvokojë kryetari në largim i Kuvendit, Trajko Veljanoski, i cili edhe do të kryesojë me të, pasi në të kaluarën seancën konstitutive e drejtonte deputeti më i moshuar.

Siç qëndron në nenin 9 nga Rregullorja për punë e Kuvendit të RM-së, deputeti i cili e ka konvokuar seancën e parë, udhëheq me seancën kuvendore, derisa kryetari i sapozgjedhur ose njëri nga nënkryetarët nuk e ndërmerr detyrën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu