“Kufiri me Kosovën është bërë shoshë”, LSDM kërkon dorëheqjen e Toshkovskit për shkak të arratisjes së Grubit

Artan Grubi është lëshuar lirshëm të largohet nga vendi, për këtë ministri Pançe Toshkovski duhet të japë dorëheqje, kërkuan socialdemokratët. Sipas partisë, kufiri me Kosovë është bërë shoshë, për shkak të, siç thonë, partizimit që e ka bërë ministri. Mes këtyre nëpunësve është edhe nëpunësi kufitar ku Grubi e ka kaluar kufirin, shtojnë nga LSDM.

“Informacionin e fundit që e morëm sot e që e publikojmë, është se polici B.J. është transferuar në pikën kufitare Bllacë nga stacioni policor Çashkë me kërkesë të Toshkovskit vetëm disa javë më parë, më 24.11.2024. Nëse ky njeri është sjellë në Bllacë qëllimisht për ta zbatuar atë që i duhej Toshkovskit? – tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

Paraprakisht, Toshkovski theksoi se aspak nuk e njeh policin, se i njëjti është suspenduar dhe se kundër tij është dorëzuar kallëzim penal. Informacionet e opozitës, i vlerësoi si shpifje.

“As personalisht nuk e njoh personin në fjalë, as kam nënshkruar ose kam dhënë urdhër në lidhje me emërimin e tij për të punuar në policinë kufitare në Maqedoni”, u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Reaguan nga partia në pushtet.

LSD në vend që të shpikin teori të pamatura çdo ditë, le të fillojnë të japin përgjigje, se pse nuk e penguan Grubin në plaçkitjet edhe pse e dinin dhe mundeshin ta pengonin dhe dënonin? – potencoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe sipas LSDM-së, arratisja e Grubit është punë e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe se përsëritet skenari i njëjtë me arratisjen e Blerim Ramadanit. Nga koalicioni VLEN thanë se lista e zezë e SHBA-ve është akuzë morale për BDI dhe siç thonë, në vend që të kërkojnë falje, BDI vazhdon me arsyetime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu