Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari nuk mohon se ka insistuar për lista të veçanta, por jo edhe për 40% të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme lokale, brenda koalicionit VLEN. Ai shprehet optimist se zgjidhja do të gjendet mes partnerëve.
“Unë edhe kam insistuar që të kemi listë të veçantë si Aleancë për Shqiptarët por edhe partitë tjera sepse motivojmë shumë më shumë njerëz të jenë të angazhuar në zgjedhjet lokale, por e shohim e bëjmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, kemi raporte korrekte kështu që jam optimist se do të gjejmë gjuhë të përbashkët”, deklaroi Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Kreu i Besës Bilall Kasami, thotë se Taravari nuk ka kërkuar 40% të kandidatëve por lista të veçanta nga pjesa tjetër e koalicionit për këshilltarët komunal. Brenda VLEN, sipas Kasamit, dominon ideja që koalicioni të garojë i plotë në të gjitha nivelet e garës në lokale.
“Me të drejtë, nuk ka kërkuar përqindje në ndarje të listave, nuk është hapur si temë. Por, në fillim kërkesa ka qenë që të gjithë partitë të shkojnë veçmas në listat për këshilltarë por kur u prezantua qëndrimi i të gjithë subjekteve të tjera se veçmë jemi të darkoduar që të shkojmë bashkë, ashtu siç kemi shkuar në zgjedhjet parlamentare, edhe në zgjedhjet lokale, në të gjithë procesin zgjedhor edhe për kryetar të komunave, edhe për kandidatët për këshilltarë, vazhdoi biseda në drejtim të asaj që Aleanca duhet të vendosë nëse do të jetë pjesë e koalicionit edhe për listat edhe për kandidatë ose do të jetë veç sepse qëndrimi i pjesës tjetër të koalicionit dominon që koalicioni duhet të shkojë bashkë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, pjesë e VLEN, Bekim Qoku, thotë se VLEN nuk ka qenë kurrë më e vendosur dhe se në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve, do të konsolidohet akoma më shumë.
“Vazhdoj të mendoj se VLEN është një nga nismat më të pjekura e më racionale politike në të gjithë trojet shqiptare që nga fillimi i sistemit shumëpartiak. Koalicioni VLEN nuk ka qenë kurrë më solid dhe më i vendosur se në ditët e sotme. Në zgjedhjet e sidomos pas zgjedhjeve, VLEN do të konsolidohet shumë më fuqishëm se çka qenë qysh nga themelimi i tij”, u shpreh Bekim Qoku, Lëvizja Vetëvendosje.
Jozyrtarisht, siç ka raportuar Alsat, Taravari në takimin e fundit të liderëve të VLEN ka dhënë sinjalet e para se pas 6 prillit mund t’i jep drejtim tjetër përcaktimit tij politik. Ai ka kërkuar mirëkuptimin e liderëve të tjerë duke thënë se në Kuvendin e partisë do të vendosë se si tutje. Në rrethana jo zyrtare, ishte mësuar se Taravari kërkon të paktën 40 për qind të kandidatëve për komuna. /Alsat.mk