Vendkalimi kufitar mes Bellanocës dhe Stançiqit, me muaj të tërë nuk kontrollohet as nga policia e Maqedonisë dhe as nga ajo e Kosovës. Ekipi i Tv ALSAT kaloi lirshëm në pjesë e kufirit të Kosovës, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të vetëm policorë.
Pavarësisht kësaj, numri dy i policisë Agim Nuhiu thotë se janë në dijeni për kalimet ilegale, por sipas tij policia patrullon gjatë tërë kohës.
“Ne nuk pretendojmë se nuk ka kalime ilegale përgjatë kufirit të Maqedonisë. Kjo është sfidë jo vetëm për Maqedoninë dhe shtetet tjera. Me shërbimet policore të Kosovës kemi marrëveshje bilaterale. Sipas kësaj marrëveshjeje kemi edhe protokollin bazë me të cilin operacionalizojmë çështjen e bashkëpunimit dhe të kontrollit të vijës kufitare me Kosovën dhe shtetet tjera. Do të dua të saktësoj se nuk ka çështje apo rrethana të tjera, që mund të paraqesin shqetësim për banorët e rajonit”, deklaroi Zv/ministri i MPB-së, Agim Nuhiu.
Profesori Bashkim Selmani thotë se mos-kontrollimi i kësaj pike kufitare mund të jetë indikacion për ndonjë skenar të mundshëm.
“Pikat kufitare që nuk janë funksionale, të jenë në funksion të keqpërdorimeve, që shpesh herë mund të jenë edhe burim i skenave të rrezikshme që mund të ndodhin. Maqedonia, gjithmonë kur ka raste apo çështje të zgjedhjeve ose pasigurisë për të fituar ose humbur dikush zgjedhjet, shpeshherë shpërqendrohet çështja reale, dhe mund të inskenohet ndonjë ngjarje e padëshiruar e që mund të jenë aksidentale pikërisht falë pikave kufitare”, tha eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani.
Edhe pse i mbyllur për qarkullim, Bellanoc-Stançiq ëshët kufiri i vetëm që nuk kontrollohet nga policia kufitare.